Për shumë gra të vrara e shumë të dhunuara nga bashkëshortët e tyre, nuk po vendoset drejtësi. “Tuneli i Fundit”, brenda ka historinë e shumë grave që u vranë nga familjarët e tyre, përmes të cilit po kërkohet t’i jepet fund këtyre rasteve. Për këtë në mënyrë artistike, ky tunel tashmë është afruar përballë Kuvendit të Kosovës, si një nga institucionet kyçe për të shtyer përpara çështjen e këtyre viktimave. Ekspozita me fotografi dhe rrëfime të këtyre viktimave në këtë tunel synon që të përcjell më afër vuajtjet e këtyre grave dhe nevojën për veprim ndaj burrave agresorë.

“Kush? Kur? Kush është vrasësi? Si? dhe Çfarë po ndodhë me rastin e saj?”, janë pyetjet brenda tunelit, ku në secilën nga këto, përgjigja është bashkëshorti.

Qendra për Këshillim, Shërbime Sociale dhe Hulumtime- SIT, ka organizuar aktivitetin “Tuneli i Fundit”, në përkujtim të grave të vrara si pasojë e dhunës në familje në pesë vjetët e fundit në Kosovë.

Liridonë Berisha nga kjo qendër, ka treguar se ky tunel do të qëndrojë sot dhe nesër pranë Kuvendit të Kosovës.

“Tuneli është organizuar me qëllim që me i tregu, me i shfaq historitë e fundit të grave që janë vrarë si viktimë e dhunës në familje në vitet e pasluftës në Kosovë. Mirëpo, me fokus më të madh prej vitit 2018 e deri më tash. Kemi raste të pasluftës që janë vrarë nga familjarët, kryesisht nga bashkëshortët e tyre. Këtë ekspozitë e kemi ngritur, kemi filluar vitin e kaluar dhe këtë vit i kemi shtuar edhe rastet e vitit 2020. Dhe mendojmë që secilin vit me vazhdu me i tregu këto ekspozita edhe me shku edhe në qytete tjera, dhe me ngrit vetëdijen e shoqërisë edhe të institucioneve që ne duhet të bëjmë më shumë që të luftojmë dhunën ndaj grave dhe dhunën në familje dhe me pas sa më pak raste të dhunës në familje”, ka thënë ajo.

Berisha ka shtuar se dhuna në familje po hezitohet të raportohet, meqë në shumicën e rasteve qasja institucionale nuk është e duhur.

“Në këtë ekspozitë i kemi shfaqur vetëm 13 raste, prej të cilave kemi mujt me mbledh të dhëna të sigurta që janë të dhëna të besueshme edhe do të thotë e paraqesin tamam si ka ndodhë rasti i vrasjeve. Kemi raste kur ka pasur vrasje të dyfishta, ka raste kur mund të themi që kanë qenë masakër, por janë raste prej të cilave kemi mujt me mbledh të dhëna të sigurta”, ka shtuar ajo.

E drejtoresha e UN Women, Vlora Tuzi-Nushi, ka thënë se mbetet shqetësuese numri i madh i vrasjeve të grave, ku ngriti shqetësimin, se shumica nga gratë të cilat po dhunohen, janë të varura financiarisht nga burrat.

“Ajo çka kemi bërë ne si UN Women është faktikisht koordinimi i të gjitha aktiviteteve partnerë në nivel qendrorë dhe komunal, por njëkohësisht kemi bashkuar forcat sikurse sot që jemi bashkë me organizatën SIT si edhe me donator siç është ADA që së bashku në një prej ditëve të ngrisim edhe si çështje serioze dhe problem i shoqërisë vrasjen e grave dhe vajzave që ka ndodhur në këto dy vitet e fundit në Kosovë”, ka thënë Tuzi-Nushi.

Ajo ka theksuar se shteti deri më tani nuk ka pasur një data-bazë të mirëfilltë, ku sipas saj ka qenë e pamundur që të gjurmohet rasti prej lajmërimit të policisë.

Përveç ekspozitës, SIT ka përpiluar një deklaratë të zotimeve publike për ndalimin e dhunës ndaj grave, ku do të mblidhen nënshkrime ku më pas do të dërgohet në Kuvend të Kosovës, me qëllim zbatimit të ligjit.

“Tuneli i fundit”, me shumë gjasë vitet e ardhshme do të jetë në sheshet e Prizrenit, Pejës, Gjakovës, me qëllim të vetëdijesimit të shoqërisë dhe institucioneve. Kjo ekspozitë është në kuader të 16 ditë aktivizëm, kundër dhunës së grave./KP