Turqia dënon sulmin në veri

(Lajm i përditësuar)


Turqia dënon sulmin në veri

Ministria e Punëve të Jashtme të Turqisë, ka dënuar sulmin e të dielës në veri të Kosovës, ku si pasojë ka vdekur rreshteri policor Afrim Bunjaku, ndërsa janë lënduar tre policë tjerë.

Po ashtu janë vrarë edhe tre sulmues, ndërsa është arrestuar njëri.
“Për të reduktuar tensionet në rajon dhe për të parandaluar përshkallëzimin, është imperativ që gjitha palët të veprojnë me përmbajtje dhe të frenohen nga dhuna. Dialogu është mënyra e vetme për të arritur paqe të qëndrueshme dhe stabilitet në Kosovë dhe rajon. Si Turqi, ne do të vazhdojmë të përkrahim procesin e dialogut”, thuhet nga MPJ e Turqisë.

Ministria e Jashtme e Kroacisë: Autorët të sillen urgjentisht para drejtësisë

Sulmin ndaj Policisë së Kosovës ku mbeti i vrarë një zyrtar policor e ka dënuar edhe Ministria e Jashtme e Kroacisë.

Ata kanë dërguar ngushëllimet më të përzemërta familjes së policit të vrarë.

“Dënojmë fuqishëm sulmin e dhunshëm ndaj policisë së Kosovës herët në mëngjes. Ngushëllimet tona të përzemërta familjes së policit të vrarë gjatë kryerjes së detyrës dhe shërim të shpejtë për zyrtarin e plagosur. Autorët duhet të sillen urgjentisht para drejtësisë”, ka shkruar ministria e Jashtme e Kroacisë në Twitter.


Ministrja e Jashtme e Holandës: Shumë e shqetësuar me zhvillimet në veri

Ministrja e Jashtme e Holandës, Hanke Bruins Slot, ka shprehur shqetësimet për hvillimet e fundit në veri të Kosovës.

Bruins Slot ka thënë se BE-ja dhe shtetet anëtare vazhdimisht u bëjnë thirrje dyja palëve për deeskalim të situatës.

“Shumë e shqetësuar me zhvillimet në veri të Kosovës. BE-ja dhe shtetet anëtare vazhdimisht u bëjnë thirrje gjithë akterëve të punojnë për depërshkallëzim të situatës”, ka shkruar Bruins Slot në platformën “X”.

Vrasja e policit, Sarrazin sot vjen në Kosovë

Ministria e Jashtme e Gjermanisë ka dënuar vrasjen e sotme të policit të Kosovës në pjesën veriore.

“Dënojmë me termat më të ashpër sulmin e tmerrshëm ndaj Policisë së Kosovës. Mendimet tona janë me familjen e oficerit të vrarë dhe të plagosurit rëndë. Grupet e armatosura të paligjshme duhet të ndalojnë rrezikimin e jetëve. Autorët duhet të mbajnë përgjegjësi. Manuel Sarrazin udhëton për në Kosovë sot”, ka njoftuar ministria e Jashtme gjermane.

Vrasja e tij ka ardhur nga një grup i armatosur e i maskuar kriminal, që dyshohet të jenë serbë, sipas kryeministrit Albin Kurti./21Media

Back to top button