Ministria e Mbrojtjes së Turqisë tha se ushtria turke ka sulmuar mbi 500 caqe të militantëve kurdë në veri të Irakut, gjatë një operacioni kundër Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit -PPK.

Operacioni kundër PPK-së nisi më 16 qershor, si kundërpërgjigje ndaj disa sulmeve që militantët kurdë kryen ndaj bazave ushtarake të Turqisë, njoftoi Ministria.

Dy sulme të ndara ajrore që kishin për cak caqet e PPK-së në rajone të ndryshme në veri të Irakut, u kryen më 14 dhe 16 qershor, thuhet në njoftimin e Ministrisë turke të Mbrojtjes, ku shtohet se avionët luftarakë F-16, dronët dhe sulmet me murtaja kanë shkatërruara mbi 500 caqe të PPK-së gjatë 36 orëve të fundit.

“Operacioni po shkon shumë mirë. Do Zoti, nëse vazhdojmë me të njëjtin seriozitet dhe vendosmëri, ne do ta përmbyllim këtë operacion me sukses”, citohet të ketë thënë ministri turk i Mbrojtjes, Hulusi Akar.

Turqia planifikon të ngrejë më shumë baza ushtarake të përkohshme në very të Irakut pas rritjes së sulmeve kundër militantëve kurdë atje, tha një zyrtar i lartë turk , pasi kjo përpjekje do të shtojë sigurinë e kufirit, është raportuar në media ndërkombëtare që kanë cituar burime brenda ushtrisë turke.

PPK-ja – që njihet si organizatë terroriste nga Turqia, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – pothuajse qe katër dekada është në kryengritje kundër shtetit turk, duke kërkuar më shumë të drejta për kurdët. Që prej nisjes së kryengritjes, rreth 400,000 persona janë vrarë.

Partia e Punëtorëve të Kurdistanit ka krah të armatosur dhe politik në Turqi, Irak, Iran dhe Siri. Po ashtu ka qindra mijëra mbështetës të diasporës kurde në Evropë.

Turqia në vitet e fundit vazhdimisht ka kryer operacione ushtarake ndaj PPK-së në juglindje të Anadollit dhe sulme brenda territorit irakian.

Ushtria turke po ashtu ka kryer tri operacione kundër forcave kurde siriane, që kanë nën kontroll territor në veri të Siri, dhe që Ankaraja konsideron se ato territore kontrollohet nga PPK-ja./21Media