Turqia është zotuar të ndërmarrë “veprime ligjore, diplomatike” mbi një karikaturë të Presidentit Rexhep Tajip Erdogan në revistën Franceze “Charlie Hebdo”.

Karikatura përshkruan presidentin e Turqisë duke ngritur veshjen e një gruaje të mbuluar.

Media shtetërore thotë se prokurorët turq kanë filluar një hetim zyrtar mbi revistën satirike.

Tensionet midis Francës dhe Turqisë janë ngritur pasi Presidenti Emmanuel Macron premtoi një qëndrim më të ashpër kundër Islamit radikal.

Erdogan u ka bërë thirrje turqve të bojkotojnë mallrat franceze dhe tha se Macron kishte nevojë për “kontrolle mendore”.

Mosmarrëveshja ka jehuar në të gjithë botën, duke nxitur bojkot dhe protesta kundër Francës në disa vende me shumicë myslimane duke përfshirë Bangladeshin, Kuvajtin, Jordaninë dhe Libinë.

Polemikat pasojnë gjithashtu zotimin e Macron për të mbrojtur sekularizmin pas vrasjes së tmerrshme të një mësuesi francez i cili tregoi karikaturat e Profetit Muhamed në klasë.

Paraqitjet e Profetit Muhamed konsiderohen gjerësisht si tabu në Islam dhe janë fyese për myslimanët.

Por sekularizmi shtetëror është thelbësor për identitetin kombëtar të Francës. Frenimi i lirisë së shprehjes për të mbrojtur ndjenjat e një komuniteti të veçantë minon unitetin, thotë shteti.

Ajo karikaturë ka shkaktuar zemërim brenda qeverisë turke.

“Charlie Hebdo sapo publikoi një seri të ashtuquajturave karikatura plot me imazhe të neveritshme të supozuara të presidentit tonë. Ne e dënojmë këtë përpjekje më të neveritshme nga ky botim për të përhapur racizmin dhe urrejtjen e tij kulturore”, ka thënë drejtori i komunikimit presidencial, Fahrettin Altun.

Nënkryetari Fuat Oktay i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të ngrejë zërin e tij kundër “këtij turpi”./21Media