Policia sot informoi se janë arrestuar tre persona nën dyshimin e bazuar për ‘organizim të skemave piramidale dhe bixhozit’ dhe ‘mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’.

“Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar, pas pranimit të një informate lidhur me veprimtarinë kriminale të një grupi, që në vazhdimësi merrej me organizimin e skemave piramidale dhe bixhozit, me datën 15 tetor 2020 ka ndërmarrë një operacion policor në rajonin e Prishtinës dhe të Drenasit, ku janë përfshirë pesë (5) lokacione të ndryshme. Operacioni policor, i bazuar në urdhëresën e gjykatës kompetente, ka rezultuar me arrestimin e tre (3) personave të dyshuar dhe ushtrimin e kontrollit në lokalet ku është zhvilluar kjo veprimtari e kundërligjshme.”, bëri të ditur policia.

Personat e dyshuar tanimë të arrestuar janë: D.E. lindur me 1985 kosovar/shqiptar, A.E. lindur me 1986 kosovar/shqiptar, A.F. lindur me 1998 kosovar/shqiptar.

Ndërsa, janë sekuestruar si prova materiale: 14 (katërmbëdhjetë) aparate të lojërave të fatit, 2 (dy) lojëra KENO, 1 lojë me qen, 1 (një) shtëpizë kompjuteri, 1 (një) DVR, 1477 (njëmijë e katërqind e shtatëdhjetë e shtatë) euro, 2 (dy) armë zjarri, 10 (dhjetë) fishekë kalibrash të ndryshëm, 7. 7 gramë substancë e dyshuar narkotike (kokainë), 1 (një) telefon celular, 4 (katër) komplete letra dhe zare pokeri.

Personat e dyshuar me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje për vazhdim të procedurës së mëtejme gjyqësore./21Media