Në spitalin e Fierit ka vdekur 46-vjeçari, i cili u plagos dje me thikë nga një 31 vjeçar.

Ai ju nënshtrua një ndërhyrje kirurgjikale dhe pavarësisht përpjekjes nga mjekët nuk ka arritur të mbijetojë.

Policia njoftoi më herët se ka arrestuar autorin e dyshuar të plagosjes.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Kasnicë në Patos, ku 31 vjeçari për motive të dobëta ka goditur me thikë 46-vjeçarin.

Mësohet se autori dhe viktima ishin fqinjë me njëri-tjetrin por nuk flisnin.

Pas kryerjes së veprës penale, 31-vjeçari u largua nga vendngjarja me mjetin e tij tip “Benz” por falë veprimeve të shpejta hetimore dhe operative të punonjësve të policisë, u bë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i autorit të dyshuar në fshatin Drizarë, Mallakastër.

U sekuestrua në cilësinë e provës materiale arma e ftohtë(thikë) dhe automjeti me të cilin u largua autori./oranews