U hap pres qendra e Kuvendit

Gazetarët morën pajisjet e tyre

Ekipet e gazetarëve sot u thirrën në stacionin policor “Kisella voda” për t’i marrë pajisjet të cilat u mbetën në pres qendrën e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë pas incidenteve që ndodhën më 27 prill.

Përveç deputetëve, të enjten e kaluar, në dhomën ligjvënëse u sulmuan edhe disa gazetarë. Një pjesë e tyre kërkuan edhe ndihmë mjekësore, por më së shumti pësuan pajisjet e tyre, të cilën sulmuesit i përdornin si armë.

Tome Angellovski nga televizioni Telma thotë se në të gjithë atë kaos, nuk kishin mundësi t’i merrnin pajisjet në vlerë rreth 30 mijë euro, shkruan tv21.tv.

“Disa arritën t’i shpëtonin pajisjet. Por disa të tjerë, në të gjithë atë situatë shikonin si t’i shpëtonin kokat. Kështu që aty mbetën shumë pajisje, jo vetëm të televizionit tonë, por edhe të televizioneve të tjera”, u shpreh Tome Angellovski, Televizioni Telma.

Të gjitha ekipet televizive u drejtuan drejt Kuvendit për t’i marrë pajisjet teknike. Derisa është duke u zhvilluar ekspertizë, personat e krim-teknikës nuk lejuan të incizohej në hapësirën e pres qendrës. Megjithatë, brenda mund të vëreheshin mikrofona, tripodë dhe drita kamerash, çanta, torba dhe pallto të hedhura gjithandej. Nga TV Shenja thonë se u mungon çanta me lidhjet televizive me vlerë rreth 3000 euro.

Sot në Kuvend erdhën edhe deputetë të cilët i kërkonin sendet e tyre personale. Disa mbetën pa çantat dhe palltot e tyre. Me raport të detajuar për pajisjet dhe humbura dhe të dëmtuara, ministria e brendshme do të dalë ditën e nesërme./21Media

Back to top button