U nda nga jeta veprimtari i shquar i futbollit të Kosovës Agim Bytyçi. Lajmin për RTV 21 e bënë të ditur familjarë të të ndjerit.

Agim Bytyçi ishte kryetari i parë i Federatës së Futbollit të Kosovës në vitet ’90, pas mëvetësimit të sportit kosovar, kur futbolli në rrethana të okupimit serb luhej nëpër terrene të improvizuara, një rezistencë specifike kundër pushtuesit serb, që asokohe kishte okupuar edhe objektet sportive.

Në qarqe të futbollit shpesh është shprehur konsideratë e lartë për kontributin e çmueshëm të Agim Bytyçit për mbajtjen gjallë të futbollit kosovar në vitet ’90, në ato rrethana skajshmërisht të rënda, kur në radhë të parë duhej guxim i madh për të vepruar, teksa dhuna serbe ishte përditshmëri.

Me rastin e ndarjes nga jeta të Agim Bytyçit, kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, vlerësoi se kontributi i Bytyçit ishte kulminant, i jashtëzakonshëm dhe i papërsëritshëm për nga rrethanat.

“Agim Bytyçi me guxim e vendosmëri mori përsipër të vihet në krye të Federatës së Futbollit të Kosovës në kohën e aparteidit dhe shtypjes së popullit të Kosovës nga regjimi okupator i Serbisë, duke e bërë kësisoj futbollin si pjesë të rëndësishme të rezistencës sonë kombëtare në vitet e 90-ta të shekullit të kaluar ndaj pushtuesit serb. Përveç kohës së tij si drejtues i futbollit kosovar, Agim Bytyqi ishte emër i shquar edhe si futbollist, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në klubin e qytetit të tij, Liria”, tha kreu i FFK-së Ademi.

Ai u shpreh se i ndjeri ishte personalitet me kapacitete të larta intelektuale, patriot, njeri i urtë dhe i fjalës.

“Agim Bytyçi edhe në moshë të shtyrë asnjëherë nuk reshti së dashuruari futbollin dhe për çdo sukses të Kombëtares së Kosovës derdhte lot gëzimi, andaj në këtë ditë të trishtë për futbollin tonë e kujtojmë me pietet dhe përkulemi para veprës së tij madhështore, e cila do të jetë e shkruar me shkronja të arta në historinë e futbollit të Kosovës”, tha kryetari i FFK-së Agim Ademi.

Agim Bytyçi për merita të veçanta ishte Kryetar Nderi i Federatës së Futbollit të Kosovës. /21Media