Mbi 12 mijë konsumatorë të Termokos do të pajisen me njehsorë të mençur të kalkulimit të shpenzimeve të ngrohjes, duke ua mundësuar përdoruesve të rrjetit të paguajnë sipas konsumit e jo me metra katrorë si deri tani. Ky investim, siç u informua përmes komunikatës, u bë i mundur falë bashkëpunimit të inicuar muaj më parë, e që sot u formalizua me nënshkrimin e Memorandum Bashkëpunimit në mes Fondacionit të Mileniumit të Kosovës (MFK) dhe Termokos, në prezencën e nënkryetarit të Komunës së Prishtinës, Selim Pacolli.

Me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, MFK dhe Termokos u zotuan për bashkëpunim në implementimin e projektit Prishtina HeatSave, që ka për qëllim faturimin në bazë te konsumit duke krijuar një sistem modern të faturimit për Termokos.

Drejtori Ekzekutiv i MFK, Petrit Selimi u shpreh se ky investim i radhës i MFK është fokusuar në modernizimin e Termokosit, duke futur njehsorë në banesat e Prishtinës.

Në anën tjetër, nënkryetari Selim Pacolli deklaroi se Komuna e Prishtinës falenderon donatorët si MCC por edhe ata nga BE dhe Gjermania që po investojnë në zgjerimin e modernizimin e Termokosit.

Muajin e kaluar, MFK, Termokos dhe Komuna e Prishtinës kanë filluar me fazën e parë të implementimit të projektit Prishtina HeatSave, ku ekipet profesionale realizuan hulumtime teknike dhe sociale në apartamente dhe shtëpi individuale konsumatore të TERMOKOS-it.

Aktiviteti për Matjen e Ngrohjes Qendrore (DHM), mbështetur nga Millennium Challenge Corporation (MCC), është njëri nga aktivitetet kryesore në kuadër të Projektit ‘Peizazhi i Energjisë së Qëndrueshme’ i Programit të Pragut, që ka për qëllim t’a ulë shfrytëzimin e energjisë në amvisëri dhe të kalohet në burime jo-elektrike dhe më të pastra të ngrohjes nëpërmjet:

-Pilotimit të llojeve të ndryshme të stimujve dhe të modaliteteve për t’i inkurajuar amvisëritë që të investojnë në masa me kosto efektive dhe kursim të energjisë (p.sh. izolimi, rezistenca ndaj motit, etj.).

-Pilotimi i njehsimit të ngrohjes qendrore dhe i tarifave në bazë të konsumit në mënyrë që të vlerësohet ndikimi në efikasitetin potencial që do t’a mundësonte zgjerimin e sistemit.