Në fshatin Samadrexhë të Vushtrrisë, sot është bërë përurimi i palestrës sportive.

Përveç sportistëve të shumtë dhe qytetarëve, në ceremininë e përurimit të këtij objekti kanë marrë pjesë kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, ministrja e Kulturës, rinisë dhe sportit Vlora Dumoshi, deputetja e Parlamentit të Kosovës Rrezarta Krasniqi, nënkryetari i Komunës Besim Muzaqi, drejtues të  Federatës së Hendobllit të Kosovës e mysafirë të shumtë.

Kryetari Tahiri tha se po i japin Samadrexhës një palestër moderne që e bënë krenar jo vetëm Vushtrrinë por edhe gjithë Kosovën, dhe që siç tha ai i shkon Klubit të Samadrexhës klubit të vajzave por edhe klubit të djemëve që janë bërë emblema e Vushtrrisë.

“Ju me punën e juaj për shumë vite për sport dhe jo vetëm jeni bërë emblema, e qytetit të Vushtrrisë por edhe gjithë Kosovës, duke fituar aq shumë tituj sa e bëjnë këtë fshat të veçantë jo vetëm në Kosovë e trojet shqiptare, por edhe më gjerë”, ka thënë Tahiri në ceremoninë me rastin e përurimit të objektit sportiv.

Ndërsa ministrja Dumoshi duke vlerësuar lartë kontributin që kanë dhënë vajzat e këtij fshati në avansimin e sportit kosovar, e në veçanti hendbollit, theksoi se Ministria e kulturës do të vazhdojë të mbështesë Vushtrrinë dhe klubet e monumentet vushtrriase edhe me projekte tjera. Ajo ka paralajmëruar vazhdimin e mbështetjes për investime në stadiumin e qytetit, në Qendrën e Kulturës dhe projekte tjera.

Ndërtimin e kësaj palestre, nënkryetari i FHK-së Enis Idrizi e ka quajtur pasuri të madhe jo vetëm për Samadrexhën dhe Vushtrrinë, por në përgjithësi edhe për Federatën e Hendbollit të Kosovës.

E Ferat Basholli, ish pedagog dhe udhëheqës për shumë vite i klubeve sportive të këtij fshati, duke folur për historikun e sporteve në Samadrexhë, tha se ndjehet shumë i lumtur që endrra e tyre u bë realitet./21Media