U refuzua mocioni i mbrojtjes së Thaçit për mundësi hetimore unike për 8 diplomatët

Gjykatësi i procedurës paraprake, Nicolas Guillou, ka marrë vendim përmes së cilit ka refuzuar mocionin e mbrojtjes së Hashim Thaçit, me anë të së cilit kishte kërkuar mundësi hetimore për dëshmitarët ndërkombëtar, pasi kishte vlerësuar se dëshmitë e tyre janë të rëndësishme për çështjen.
Dëshmitarët për të cilët mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi ka kërkuar mundësi hetimore unike janë: Wesley Clark, Steve Bennet, Bernard Kouchner, Jock Dovey, Michael Durkee, Daan W. Everts, Wiilliam Walker dhe një diplomat tjetër që i është redaktuar emri.
“SPO përgjigjet se mocioni dhe shtojca duhet të refuzohen, sepse masave të kërkuara u mungon baza ligjore dhe arsyetimi adekuat”, është bërë e ditur në vendimin e Gjykatës.
Gjykata ka potencuar se shëndeti i dëshmitarëve s’është aktualisht një faktor kyç në këtë rast.
“Në lidhje me argumentet e mbrojtjes së Thaçit lidhur me Dëshmitarët (“mosha e shtyrë” dhe “shkalla e ndryshme e shëndetit”), gjyqtari i procedurës paraprake vëren se Dëshmitarët janë ndërmjet moshës 77 dhe 87 vjeç. Megjithatë, asgjë në Mocion apo Shtojcë nuk tregon se gjendja shëndetësore e Dëshmitarëve është, aktualisht, një shqetësim serioz që do të garantonte ruajtjen e menjëhershme të provave të tyre. Përkundrazi, gjyqtari i procedurës paraprake vëren se Mbrojtja e Thaҫit pranon se shëndeti i dobët i Dëshmitarëve “nuk është aktualisht një faktor në këtë rast”. Siç ka pranuar Mbrojtja e Thaҫit, vetëm mosha është një arsye e pamjaftueshme për të besuar se provat e një dëshmitari mund të bëhen të padisponueshme”, është shkruar në vendim.
Në lidhje me kohëzgjatjen e parashikuar përpara se të fillojë çështja e mbrojtjes, gjyqtari i procedurës paraprake, është shkruar se kujton se ai do t’ia transmetojë çështjen trupit gjykues deri në fund të vitit 2022.
“Nga kjo rrjedh se trupi gjykues, në çdo rast, do të merret me procedurat në këtë çështje shumë më herët se Masa e Parë e parashikuar nga Mbrojtja e Thaҫit në shkurt të vitit 2023 mund të zbatohet realisht, nëse jepet Masa e Parë. Prandaj, duke marrë parasysh kalimin e pashmangshëm të çështjes në gjykim dhe caktimin e mëvonshëm të një trupi gjykues, gjyqtari i procedurës paraprake është i mendimit se vlerësimi i besueshmërisë, rëndësisë, domosdoshmërisë dhe planifikimit të dëshmisë së Dëshmitarëve është një çështje që vendoset më së miri nga trupi gjykues që do të caktohet për të shqyrtuar çështjen”, është shkruar tutje në vendim.
Rrjedhimisht, siç është shtuar tutje në vendim, gjyqtari i procedurës paraprake konstaton se Mbrojtja e Thaҫit nuk ka arritur të vërtetojë kërkesën e saj për një mundësi unike hetimore dhe e refuzon kërkesën për masën e parë.
Vendimin e plotë mund ta gjeni duke klikuar këtu.
Aktakuza ndaj Thaçit dhe të tjerëve lidhur me pretendimin për krime lufte, është konfirmuar më 26 tetor të vitit 2020, ndërsa në paraqitjet e tyre të para në Dhomat e Specializuara në Hagë, ata janë deklaruar të pafajshëm.
Ata po qëndrojnë në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.
Më 29 prill, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendon se të akuzuarit kanë kryer krime lufte në Gjilan, Budakovë e Semetisht.

Back to top button