Konsulli në Maqedoninë Veriore, Lindon Kqira, të cilin dje e shkarkoi ushtruesja e detyrës së Presidentit, Vjosa Osmani, ka deklaruar se nuk e njeh vendimin e saj.

Kqira duke theksuar se nuk e njeh vendimin “arbitrar dhe politik” të u.d. së Presidentit, Vjosa Osmanit ka shtuar se do ta ndjekim rrugën ligjore, dhe do të vazhdojë normalisht punën në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Shkup.

“Me vetëdije dhe përgjegjësi të plotë, deklaroj se nuk njoh dhe as nuk e perfilli vendimin për shkarkimin tim, nga pozita e Konsullit-Ministrit Këshilltar, në Ambasadën e Republikës së Kosovës, në Shkup, nga zonja Vjosa Osmani, kryetare e Kuvendit të Kosovës dhe u.d. Presidentit të Republikës së Kosovës.Ky vendim në rradhë të parë është tendencioz, arbitrar, vendim politik dhe përçarës, e mbi të gjitha është antikushtetues dhe i pa presedan në diplomacinë e Kosovës”, ka shkruar ai në “Facebook”.

Tutje Kqira ka thënë se Osmani do duhej të merrej me punën e Kuvendit të Kosovës, “i cili që nga ardhja e saj në krye të këtij kuvendi, në mënyrë aksidentale, ështe e vlerësuar si legjislatura më e dështuar e Kosovës nga themelimi i Kuvendit të Kosovës e deri më sot”.

Konsulli në Maqedoninë Veriore mendon se shkarkimi i tij është nxjerrë në kundërshtim me nenin 84 të Kushtëtutes së Republikës së Kosovës, pasi që Osmani këtë vendim e ka marrë pa konsultim paraprak me MPJD dhe Qeverinë e Republikës së Kosovës.

“Në këto rrethana, kushdo që bënë përpjekje me zbatue këtë vendim të njëanshëm, përfshihet në shkelje Kushtetuese. Veprimet e mia karshi këtij vendimi, do të jenë në përputhje me dispozitat ligjore dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe paralajmroj se kundër këtijë vendimi arbitrar të kryekuvendares, Osmani, do ta ndjekim rrugën ligjore, ndërsa unë do të vazhdoj normalisht punën dhe angazhimet ditore në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Shkup”, ka thënë ai.

Ushtruesja e detyrës së Presidentes, Vjosa Osmani dje shfuqizoi katër dekrete për konsujt  të përgjithshëm, konkretisht për konsujt e përgjithshëm në Pragë, Lubjanë, Shkup dhe Tiranë. Shkarkimi i tyre vije me arsyetimin se konsullatat e përgjithshme, si rregull, nuk hapen dhe konsujt e përgjithshëm nuk emërohen në të njëjtin qytet ku ndodhet edhe Ambasada./21Media