Pas themelimit të fondacionit për mbrojtjen e Hashim Thaçit, një fondacion i tillë u themelua edhe për Kadri Veselin. Fondacioni do të shërbejë si një adresë për të mbledhur ndihmë financiare e materiale për qëllimet e mbrojtjes së Veselit

Fondacioni është themeluar me iniciativën e Hysni Veseli, familjar i afërt i Veselit, ndërsa ka edhe Bordin – që është organi më i lartë qeverisës i organizatës dhe që ushtron përgjegjësinë e funksionimit të Fondacionit, si dhe menaxhimin e detyrave që lidhen me qëllimin dhe aktivitetet e Fondacionit, përfshirë edhe organizimin, sipas nevojës, edhe të auditimit të pavarur të pasqyrave financiare të organizatës.

Sipas një njoftimi për media fondacioni është themeluar mbi bazën e kuadrit ligjor në fuqi në Republikën e Kosovës dhe ka për qëllim grumbullimin e mjeteve financiare në mënyrë të mirë-organizuar dhe transparente nga ana e personave fizikë dhe juridikë – të cilët shprehin vullnetin dhe solidaritetin e tyre për të ndihmuar financiarisht, përmes donacioneve, mbrojtjen juridike të Veselit.

Aktakuza kundër Kadri Veselit u konfirmua më 26 tetor 2020. Ai u arrestua nga Zyra e Prokurorit të Specializuar më 5 nëntor 2020 dhe u transferua në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë në të njëjtën ditë./21Media