EON Reality ka zgjedhur Kosovën dhe UBT-në, si partner për ndërtimin e një qendre implementuese-e para në Ballkan

EON Reality ka zgjedhur Kosovën dhe UBT-në, si partner për ndërtimin e një qendre implementuese-e para në Ballkan

Kompania më e madhe botërore për teknologji virtuale, EON Reality ka zgjedhur Kosovën dhe UBT-në, si partner implementues, që të bëjë investimin më të madh direkt në Kosovë që nga paslufta, njëherësh edhe dhe të vetmin në Ballkan, për hapjen e Qendrës për Realitet Virtual dhe të Shtuar.

Kjo qendër do të jetë burim i gjenerimit të produkteve virtuale, që do të ndryshojë rrënjësisht dhe përgjithmonë mënyrën e qasjes ndaj problemeve dhe zgjidhjen e tyre, teksa do të shndërrohet edhe në gjenerues të qindrave vendeve të punës dhe të shpalosjes së pasionit dhe talentit për të rinjtë nga Kosova dhe mbarë rajoni.

Tridhjetë milionë dollarë është shuma që EON Reality do ta ndajë për ndërtimin e kësaj qendre, që do të shndërrohet në një laborator të krijimit dhe të jetësimit të metodave më inovative teknologjike, që do ndryshojnë përgjithmonë zgjidhjen e problemeve industriale, por veçanërisht do të fokusohet në ndryshimin e sistemit arsimor në Kosovë dhe më gjerë.

Përmes Qendrës për Realitet Virtual dhe të Shtuar, në sistemin arsimor të Kosovës do të instalohet sistemi arsimor i së ardhmes, ku gjeneratat e reja shumë shpejt do të fillojnë që të mësojnë duke praktikuar (Learning by Doing).

Rektori i UBT-së, prof.. dr. Edmond Hajrizi tha se investimi për hapjen e një qendre të tillë e dërgon Kosovën në një nivel tjetër të shfrytëzimit të teknologjisë dhe e vendos përkrahë shteteve më të zhvilluara të botës.

“Ky investim madhor në shtetin tonë do të mundësojë krijimin e një platforme për të rinjtë tanë, e cila deri dje ishin ëndrra jonë më e madhe, kurse tani gjeneratat e reja do të mësojnë me teknologjitë më të reja botërore, që ndikon në krijimin e kompetencave më të qëndrueshme dhe që do t’i përvetësojnë shumë më shpejt”, theksoi Hajrizi.

Ai e falënderoi EON Reality që ka besuar se UBT do ta jetësojë këtë qendër dhe do t’i dalë në ndihmë shoqërisë, teksa shprehu konsideratë edhe ndaj kësaj të fundit, për faktin se i ka mirëpritur me shumë lehtësi ndryshimet e tilla kaq rrënjësore teknologjike.

Presidenti i EON Reality, Dan Lejerskar, duke e shprehur interesimin e madh për të jetësuar këtë qendër, tregoi për të pranishmit të arriturat më të mëdha, bashkëpunëtorët dhe implementuesit e teknologjisë së realitetit virtual, si dhe të ardhmen që do ta sjellë realiteti virtual./21Media