Udhëheqësi çeçen zotohet të dërgojë djem adoleshentë në vijën e parë të frontit

Udhëheqësi çeçen, Ramzan Kadyrov thotë se tre djemtë e tij, 14, 15 dhe 16 vjeç, së shpejti do të udhëtojnë në vijën e frontit për të luftuar përkrahë forcave ruse.
Kadyrov është një aleat i Vladimir Putin, megjithëse kohët e fundit ka kritikuar udhëheqjen ushtarake ruse.
Në rrjetet sociale, ai shkroi se një baba duhet t’i mësojë djemtë e tij se si të mbrojnë familjen, njerëzit dhe atdheun e tyre, transmeton rtv21.tv.
Rusia ka nënshkruar një traktat të OKB-së që synon të parandalojë fëmijët nën moshën 18 vjeç që të marrin pjesë drejtpërdrejt në armiqësi.
Përdorimi i fëmijëve nën moshën 15 vjeç për të marrë pjesë në armiqësi konsiderohet një krim lufte nga Gjykata Penale Ndërkombëtare.
Megjithatë Rusia nuk e njeh juridiksionin e saj.
Në një postim të gjatë në aplikacionin e mesazheve Telegram, Kadyrov tha se trajnimi ushtarak i djemve të tij filloi kur ata ishin shumë më të rinj dhe se kishte ardhur koha që ata të përjetonin një betejë të vërtetë.
Kadyrov ka qeverisur republikën jugore ruse që nga viti 2007, kur ai u emërua president i rajonit nga Vladimir Putin.
Ka qenë një periudhë e stabilitetit relativ në Çeçeni, e cila luftoi pa sukses për pavarësi për një dekadë./21Media

Back to top button