UEFA dhe federatat anëtare janë të bindur të vazhdojnë kampionatet

UEFA dhe federatat anëtare janë të bindur të vazhdojnë kampionatet

Ditën e sotme u zhvillua video-konferenca me pjesëmarrjen e Sekretarëve të Përgjithshëm të 55 federatave anëtare të UEFA-s.

Në këtë mbledhje drejtuesit e federatave u njohën me situatën aktuale të futbollit europian dhe diskutuan mbi disa opsione të mundshme në lidhje me rifillimin e aktiviteteve kombëtare dhe ndërkombëtare për meshkuj dhe femra, sipas detyrave që ishin ngarkuar për dy grupet e punës që janë krijuar në mesin e muajit mars.

Mbledhja u përshëndet edhe nga Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin, që falenderoi të gjithë federatat anëtare për masat e marra dhe kujdesin e treguar për anëtarët e tyre. Në fillim të mbledhjes u prezantuan disa opsione kalendarësh në lidhje me skuadrat kombëtare dhe ndeshjet e kompeticioneve të klubeve.

UEFA dhe federatat anëtare janë të bindur të vazhdojnë kampionatet, nëse gjërat nga pandemia fillojnë të qetësohen gjatë m uajit maj.

Ndryshe, UEFA sot diskutoi edhe për ndeshjet e kombëtareve, ku dha tre propozime:

1. Të gjitha ndeshjet të luhen shtator, tetor dhe nëntor
2. Të gjitha ndeshjet të luhen në tetor dhe nëntor
3. Të gjitha ndeshjet të luhen në nëntor

Për t’u harmonizuar me ligat, gjasat janë që UEFA të zgjedh opsionin e dytë.