Ukraina raporton edhe dy ushtarë të vrarë nga bombardimet e separatistëve

Ushtria ukrainase ka bërë me dije se edhe dy ushtarë u vranë dhe katër të tjerë janë plagosur nga granatimet e separatistët pro-rusë në Ukrainën lindore.

Sipas njoftimit të ushtrisë, janë regjistruar 70 shkelje të armëpushimit nga separatistët që nga fillimi i ditës krahasuar me 66 rastet e 24-orëve të mëparshme.

Separatistët kanë hapur zjarr në më shumë se 30 vendbanime përgjatë vijës së frontit duke përdorur artileri të rëndë, e cila është ndaluar nga marrëveshjet që synojnë ftohjen e konfliktit afatgjatë.

Një zëdhënës i partisë së Presidentit Volodymyr Zelenskiy në një deklaratë ka theksuar se një grup ligjvënësish dhe media të huaja që vizituan zonën e konfliktit u sulmuan dhe u desh të evakuoheshin në një strehë, shkruan Reuters.

Zyrtarët separatistë e akuzuan Ukrainën përmes medias sociale Telegram për granatimet e zonave të kontrolluara nga separatistët dhe thanë se duhej të përgjigjeshin në përputhje me rrethanat.

Incidentet e bombardimeve përgjatë vijës që ndan forcat qeveritare dhe separatistët u rritën ndjeshëm këtë javë, në atë që qeveria ukrainase e quajti një provokim. Ajo mohoi fuqishëm sugjerimet e Rusisë se Kievi mund të nisë një ofensivë në Ukrainën lindore.

Ushtria e Ukrainës të shtunën ka raportuar vrasjen e parë të një ushtari ukrainas në disa javë dhe akuzoi rebelët e mbështetur nga Moska për përshkallëzim të sulmeve./21Media

Back to top button