Ukraina u kërkon njerëzve të mos kthehen në shtëpi këtë dimër

Ukraina u kërkon qytetarëve të saj që u larguan nga vendi pas pushtimit rus që të mos kthehen në shtëpi këtë dimër për shkak të ndërprerjeve të vazhdueshme të shkaktuara nga sulmet me dron dhe raketa ruse në rrjetin elektrik.

Zëvendëskryeministrja e Ukrainës Iryna Vereshchuk të martën u kërkoi ukrainasve “të mos kthehen ende”. 

“Ne duhet të mbijetojmë këtë dimër. [Nëse njerëzit kthehen] rrjeti elektrik mund të dështojë. E shihni se çfarë po bën Rusia. Të gjithë e shohin atë. Të kthehesh tani do të thotë të ekspozosh veten, fëmijët, të afërmit e tu, të pambrojtur ndaj kësaj. Në pranverë do të doja shumë që ne të punonim së bashku për të rindërtuar rajonin tonë të Kharkiv, rajonin Kherson dhe pjesën tjetër të qyteteve dhe vendbanimeve tona këtu në Ukrainë”, tha Vereshchuk .

Vereshchuk tha se ajo e kuptonte që situata mund të përkeqësohej, por çfarëdo që të ndodhë, “ne mbijetojmë këtë dimër dhe më pas mendojmë për gjithçka tjetër”.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha në një konferencë ndërkombëtare në Berlin të martën se raketat ruse dhe dronët e prodhuar nga Irani kanë “shkatërruar më shumë se një të tretën” e sektorit energjetik të Ukrainës.

Zelensky tha se sulmet kishin për qëllim ta bënin “më të vështirë për ne të durojmë këtë dimër”./21Media 

Back to top button