Poezi nga Maya Angelou
Përktheu: Rudi Pobrati

Mund të gëzohesh se po më braktis,
Se nga dhimbja e gjitha po mpihem
Ti mendon se po më shkel më këmbë,
Por si pluhur, unë përsëri do ngrihem.

Të shqetëson kryelartesia ime?
Ç’gjë të shkaktoi, papritur mërzinë?
Se unë rri sikur kam puse me naftë,
Që burojnë aty poshtë në kuzhinë?

Njësoj si dielli, njësoj si hëna
Në baticat në harmoni
Njësoj si shpresa që çohet lart,
Unë do ngrihem përsëri.

Dëshirojë të më shihje të thyer,
Me kokë të ulur e sy me lot,
Me supe varur si lule tharë,
Grua e mjerë që një fjalë se thotë?

Mos të lëndon krenaria ime,
Mos ndoshta kujton se po lajthis,
Se qesh sikur kam miniera ari,
Atje prapa, në oborrin e shtëpisë?

Mund të më qëllosh me fjalët e tua,
Mund t’i plagosësh sytë e mi,
Mund të më vrasësh me urrejtjen tënde,
Por njësoj si era do ngrihem përsëri.

Brengosesh se jam e bukur, seksi,
Pse të kapi papritur habia?
Se unë eci sikur kam diamante
Aty ku takohen kofshët e mija?

Nga kasollet e turpit të historisë
Unë ngrihem
Nga e kaluara e hidhur , mes bukurisë
Unë ngrihem;
Jam ujvarë e lartë, e zezë freskuese,
Po fryhem e derdhem po aq tmerruese.

Duke lënë pas frikën e natës së gjatë
Unë ngrihem
Në një agim mrekullisht të qartë
Unë ngrihem
Duke bartur dhuntitë e të parëve të mi
Jam ëndrra dhe shpresa e skllaves për liri
Unë ngrihem përsëri,
përsëri ngrihem
Ngrihem përsëri!