“Ndjenja e kohës” e poetit italian, shekulli i shkuar në një vepër letrare

Katër vite më parë, Aida Baro solli në shqip ulërimën e Giuseppe Ungaretti-t, hermetiku italian i viteve të para të pasluftës. Një poezi që vajtonte të gjallët më fort se të vdekurit, duket se qe grishja e parë e përkthyeses, si një çelës që zbërthen hermetizmin e tij dhe si dritëza që të tregon udhën drejt botës së tij poetike.

“Mjaft i vratë të vdekurit,

mos ulërini më, mos ulërini

në doni ende t’i mbani vesh,

në shpresoni të mos shuheni.

Pëshpërisin nëpër dhëmbë,

s’pipëtijnë

as sa bari që rritet

i harlisur aty ku këmbë njeriu s’shkel”.

Nën titullin “Mos ulërini më” Ungaretti nderon të vdekurit përmes heshtjes pas saj në një thirrje për të gjallët. Tri vite para kësaj, Baro kish përkthyer “Kërshëndellat”, duke i dhuruar shqipes një poezi Krishtlindjesh që kërkon veç “paqë”.

Ndërsa bota përjeton hermetiken e pazakontë pandemike, metrika e tematika e tij, i drejtohet sërishmi heshtjes, në një bisedë me veten, për të tjerët e mbi të tjerët, jo si qenie të tjetërsojta doemos, por si një mënyrë hulumtimi raportesh ndërnjerëzore.

Vetmia e boshi, kundrimi e melankolia, trena të ikur pa ne, mbrëmje të errëta e të trishta, e mandej “Kujtimi i Afrikës” si mirazhi i një ëndrre të shkuar dhe vaji i pazë i një poeti, sjellin botën që qe e tij, plot mall e dhembje, pafuqi për t’i dhënë hov e jetë, gjithë asaj që pati përkundruall.

“Dhe kur dritë e duhur bie,

Si tis krejt i purpurt

Në më pak të lartën kreshtë,

Largësia masës i shpaloset,

Çdo regëtimë imja, ashtu si zemra,

Që tash e mbaj vesh,

Të nxit, o kohë, t’më lëshosh mbi buzë

Të mbramen puthje tënden”.

Me vëllimin “Ndjenja e kohës”, që përmbledh lirika të shkruara që në fillim të 1919 dhe të botuara më 1933; njeriu i dhembjes, Ungaretti, tashmë është Njeriu (me Nj të madhe), poezia synon t’u japë zë konflikteve të brendshme, pikëpyetjeve dramatike – kërkimin e sigurive dhe limaneve; misterin: të ndjerit e kohës, efemeren në raport me të përjetshmen, do të thotë poeti, – tensionit ekzistencial, rrugëtimit të dhembshëm për të kapërcyer të qenit tokësor. Kjo mbase do të ishte përmbledhja e asaj që përfaqëson vëllimi në shqip i Ungarettit, “Ndjenja e kohës”, sipas Salvatore Guglielmino, kritik letrar, hartues antologjish letrare.

“Ndjenja e kohës”, vëllimi i dytë me poezi i Giuseppe Ungaretti-t, botuar për herë të parë në vitin 1933 dhe më pas i pasuruar e ribotuar më 1936 dhe 1942, është një ndër arritjet më të larta të tij, ku pjekuria intelektuale dhe poetike do ta shpjerë të ndryshojë kryekëput nga “Allegria”, jo vetëm në temat e trajtuara, por edhe në metrikën e përdorur. Tashmë, i dashuruar pas Canto-s italiane, i pasionuar në zbulimin e poezisë së Giacomo Leopardi-t dhe Francesco Petrarca-s, ai i kthehet metrikës tradicionale, vargut njëmbëdhjetërrokësh, nëntërrokësh dhe shtatërrokësh, por duke mos humbur në asnjë çast esencialitetin, valencën, domethënien dhe përmbajtjen e thellë që duhet të ketë fjala në vetvete.

Në këtë vëllim, Ungaretti i rikthehet neoklasicizmit dhe barokut, të cilin e ka zbuluar udhëve dhe peizazheve të Romës e përmes veprës së mahnitshme të Michelangelo-s. Kjo përmbledhje cek distancën e perceptuar mes së tashmes dhe së shkuarës, një distancë që kthehet në një humnerë thuajse të pamundur për t’u kapërcyer, qoftë si akt vullneti, qoftë si akt hiri nga lart. Ungaretti është i vendosur të përjetojë skajet e ndërgjegjes së tij, një “ndërgjegje e tmerrshme” në mënyrë që të perceptojë boshllëkun. Paradoksalisht, pikërisht kjo i jep mundësinë të shërohet nga frika e këtyre kufijve. Me forcën dhe saktësinë e intuitës së tij medituese, arrin të kapërcejë atë çka në një poet më të zakontë do të kthehej në një inventar dhembjesh dhe frikërash personale: poezitë e tij na duken objekte përtej vetvetes për arsyen se ai kurrë s’e trajton veten e tij si shembull të të gjithë individëve. Ungaretti ngrihet mbi perceptimet dhe ndjenjat personale dhe na dhuron kështu gjithë “ndjenjën e kohës”.

Sipas kritikës, përmbledhja “Ndjenja e kohës” shënon përfundimisht kalimin në një stinë të re të poezisë ungaretiane dhe me autoritetin e shembullit të vet, sanksionon një prirje që do të përkrahet gjerësisht, atë të hermetizmit, thoshte Edoardo Esposito, kritik letrar, pedagog.

Ndërsa për kritikun Romano Luperini, themelet e poetikës ungaretiane që pohohen në përmbledhjen e re janë mbi të gjitha dy: gjuha e çmuar dhe e lartë, thuajse hyjnore, që sjell kërkimin e një stërhollimi të llojit petrarkist, të orientuar drejt një poezie të vyer dhe sublime; si dhe liria analogjike.

Autori

Giuseppe Ungaretti është një prej poetëve më të mëdhenj italianë të shekullit XX. Ai njihet gjerësisht si njeriu që hodhi themelet e hermetizmit, një rrymë letrare që solli një tjetër frymë dhe formë në mënyrën e të krijuarit poezi. Përmes një pune të gjatë hulumtuese dhe eksperimentale, por edhe të refuzimit të modeleve stilistike tradicionale, Ungaretti kërkoi t’i kthente fjalës virgjërinë dhe risinë, duke e sjellë në një përmasë më thelbësore, të zhveshur e ndonjëherë, qëllimisht të errët. Ai është fitues i shumë çmimeve letrare kombëtare dhe ndërkombëtare, një ndër të cilët Çmimi Ndërkombëtar për Letërsinë Neustadt, më 1970.