"Mësoni, angazhohuni dhe mos u dorëzoni"

“Mësoni, angazhohuni dhe mos u dorëzoni”

Universiteti i Prishtinës për herë të parë ka organizuar ditën e orientimit për studentët e rinj, me rastin e fillimit të vitit të ri akademik 2018/19.

Në këtë pritje morën pjesë të gjitha njësitë akademike dhe zyrat që kanë kontakt me studentët, ku përmes këndeve informuese për secilin fakultet, studentët e rinj patën mundësi të informohen lidhur me studimet në UP.

Rektori i UP-së, Marjan Dema tha se suksesi i studentëve është prioritet i UP-së. Ai tha se UP e ka për mision të krijojë liderë e studentë kreativë.

Dema po ashtu njoftoi studentët edhe mundësitë për studime jashtë vendit, përmes shkëmbimit të studentëve.

Ai u garantoi studentëve të rinj mbështetje të plotë për studime cilësore.

“Mësoni, angazhohuni dhe mos u dorëzoni”, u tha Dema studentëve.

Kurse, zëvendësministri i Arsimit, Heset Sahiti u tha studentëve se e ardhmja e tyre varet nga këto studime. Ai falënderoi profesorët për kontributin e tyre ndër vite, duke shtuar se MAShT është duke u angazhuar në përmirësimin e cilësisë në arsim.

“Arsimi i lartë është forca kryesore shtytëse e ndryshimit shoqëror”, ka thënë Sahiti.

E pranishme ishte edhe ish-presidentja Atifete Jahjaga, si përfaqësuese e Alumni UP, e cila tha se ndihet e priviligjuar që sot po përfaqëson të diplomuarit e UP-së. Ajo u tha studentëve se kampusi i UP-së do të bëhet për ta shtëpia e dytë. Ajo tha se të gjithë të rinjtw kanë diçka të mirë për të zbuluar dhe këtë do ta ndihmojë Universiteti i Prishtinës.

“Investimi në edukimin tuaj është edukimi më i mirë për ju”, tha Jahjaga.

Gjatë këtij organizimi, studentët patën mundësi të marrin pjesë në lojëra të ndryshme dhe të vizitojnë fakultetet përkatëse.