Uragani Laura detyron qindra mijëra njerëz në SHBA të evakuohen

 

Qindra mijëra njerëz u urdhëruan të evakuohen nga shtëpitë e tyre në Teksas dhe Luiziana të SHBA-së, pasi uragani Laura tashmë është në drejtim të tyre.

Stuhia e fuqishme është duke lëvizur nga Kuba përmes Gjirit të Meksikës dhe pritet t’i godasë dy shtetet të mërkurën.

Mbi 385,000 njerëz u urdhëruan të largohen nga disa qytete të Teksasit dhe mbi 200,000 të tjerë duhet të largohen nga Luiziana.

Një tjetër uragan, i emëruar Marco, e goditi Luizianën të hënën, duke shkaktuar erëra të forta dhe shira të furishëm.

Marco tashmë është dobësuar në stuhi tropikale.

Të dy uraganet kanë bërë kërdi në Karaibe, duke shkatërruar shtëpi dhe duke vrarë së paku 20 njerëz, përfshirë një foshnje dhe një fëmijë tetë vjeç në Haiti.

Shirat e dendur kanë goditur gjithashtu pjesë të Kubës, Republikës Dominikane dhe territorit amerikan të Porto Rikos.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, shpalli të shtunën gjendje katastrofe në këtë territor.

Trump lëshoi edhe një deklaratë të fatkeqësisë për Luizianën, duke urdhëruar ndihmën federale për të./Rel

Back to top button