Me rastin e festës së Kurban Bajramit, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa uroi të gjithë besimtarët duke thënë se kjo festë le të jetë një moment reflektimi për të gjithë në përmirësimin e raporteve ndër njerëzore dhe besimin e pakontestueshëm në Zot.

Mustafa apeloi që të shmangen tubimet dhe vizitat nëpër familjarë, për të ruajtur shëndetin publik.

“Urime festa e Kurban Bajramit, edhe pse po jetojmë në këtë kohë të rëndë pandemie, ku të gjithë duhet kujdesur për njeri-tjetrin, dëshirat dhe urimet tona janë që të festojmë Bajramin tjetër në një situatë normale, me vizita tek miqtë e familjarët”, ka thënë Mustafa.

Ai në këto momente feste ka apeluar të gjithë qytetarët që t’i respektojnë masat.

“Të dashur qytetarë, në këto momente feste, lutemi për të gjithë të prekurit me koronavirus, ndjejmë dhimbje për familjet që kanë humbur më të dashurit e tyre nga kjo pandemi si dhe bëj apel që secili qytetar të kujdeset dhe ta ruaj veten dhe me të dashurit e tyre. Shmangni tubimet dhe vizitat nëpër familjar, këtë vit le të festojmë më zemër, e në distancë, vetëm kështu do ta ruajmë shëndetin publik”, ka porositur mustafa duke uruar që vitin e ardhshëm të festojmë së bashku, në kushte dhe rrethana normale shëndetësore.

Sot besimtarët myslimanë festojnë Festën e Kurban Bajramit e cila njëherit është festa e dytë më e madhe për myslimanët pas Fitër Bajramit./21Media