Ushqimet e paketuara, të quajtura ndryshe ‘snacks’, janë një nga faktorët më të mëdhenj përgjegjës për shtimin në peshë. Kur mendojmë se një pako e vogël me ëmbëlsira apo një pako me patatina mund të duken të padëmshme, po ta shohim në plan afatgjatë, këto mund të sabotojnë qëllimet tuaja të humbjes në peshë, pasi dhjami që formojnë në pjesën e barkut është shumë i vështirë për t’u hequr. Këtu kemi renditur ato ushqime të cilat konsiderohen si më të dëmshmet.

Patatinat

Patatinat janë të preferuarat e të gjithëve. Ato krijojnë një efekt varësie dhe prandaj është gati e pamundur të hash vetëm një. Për më tepër, patatinat janë të mbushura me kripë, gjë që e bën trupin tonë të mbajë ujë. Pra, nëse i konsumoni shpesh, ato mund të jenë arsyeja që po grumbulloni kilogramë shtesë dhe veçanërisht dhjamin e barkut.

Drithëra me sheqer

Kutia e drithërave mund të duket si një opsion i lehtë për mëngjes, por nuk është zgjedhja më e shëndetshme. Shumica e drithërave janë të pasura me sheqer dhe është njësoj si të konsumoni një ëmbëlsirë në mëngjes. Sipas një studimi të botuar në Annals of Nutrition and Metabolism, njerëzit që konsumonin bollgur për mëngjes ishin më të ngopur për më shumë kohë dhe ndiheshin më pak të uritur sesa njerëzit që konsumonin drithëra të paketuara.

Fruta të thata të karamelizuara

Shpeshherë zgjedhim për mëngjes një paketim të tillë, pasi mendojmë se është e shëndetshme dhe na jep energji. Duhet të kemi parasysh që janë të pasura me sheqer dhe nëse i konsumojmë për një kohë të gjatë do të ndikojnë në peshën tonë. Më mirë do të jetë nëse konsumoni fruta të thata bio. Ato mbajnë vlerat origjinale ushqyese.