Sot u mbajt ceremonia e përmbylljes solemne të Garës Ndërkombëtare Tradicionale “Ushtari më i mirë 2021, në ambientet e kazermës ,,Adem Jashari” të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Fitues të garës “Ushtari më i mirë” në kuadër  të FSK-së u shpallën, vendi i parë – ushtar Edon Brahimi, nga Regjimenti të III-të të KFT-së, vendi i dytë – ushtar i klasit të parë Bujar Gjaka, nga Regjimentit të III-të të  KFT-së, ndërsa në vendi i tretë- rreshter Fatmir Tahiri  nga Regjimenti i I-rë i KFT-së.

Ndërsa, fitues të tri vendeve të para nga pjesëmarrësit ndërkombëtar ishin, vendi i parë – tetar Filip Vicarin nga Kroacia, vendi i dytë -nëntetar- Ylber Mala nga Shqipëria  dhe vendi i tretë – ushtar Konstantin Çipi nga Shqipëria.

Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama  u shpreh i kënaqur me mbarëvajtjen e kësaj  gare, duke theksuar se Gara “Ushtari më i mirë 2021” ka për qëllim të promovoj shpirtin garues, të rritë motivin dhe  të testoj shkathtësitë ushtarake te të gjithë pjesëtarët pjesëmarrës në garë.

Ai, siç u informua përmes komunikatës, ndër të tjera tha se me profesionalizmin, përkushtimin dhe njohuritë e treguara gjatë këtyre ditëve keni përmbushur qëllimin dhe suksesin e plotë, ndërsa pjesëmarrja e garuesëve nga pesë ushtritë e vendeve partnere në këtë garë e dëshmon edhe  një herë që ne jemi forcë profesionale e disiplinuar, motivuar dhe  kontribuese e sigurisë në regjion dhe me gjerë.

Ndërsa, rreshter majori i komandantit të FSK-së, Genc Metaj theksoi se gara e këtij viti ka qenë mjaft  sfiduese si dhe falënderoi garuesit e të gjitha vendeve partnere  të cilët me pjesëmarrjen e tyre e madhështuan këtë garë, e cila më shumë se garë është mundësi e shkëlqyeshme e krijimit të urave të miqësisë, njohjes me njëri-tjetrin dhe shkëmbimit të përvojave.

Siç informoi ministria, gara e ushtarit më të mirë u realizuar në periudhën kohore një javore, ku morën pjesë 19 garues, pjesëtarë të FSK-së si dhe 12 garues, pjesëtarë të vendeve partnere nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kroacia, Shqipëria, Turqia  dhe Maqedonia Veriore. Garuesit u testuan në disiplinat: testi fizik, njohuri të përgjithshme, gjuajtje me armë, navigim tokësor, kalimi i poligonit të besueshmërisë, hedhja e granatës, ndihma  e parë, vëzhgimi i terrenit dhe marshimi./21Media