​KE blen edhe 405 milionë doza të vaksinës antiCOVID

​KE blen edhe 405 milionë doza të vaksinës antiCOVID

Komisioni Evropian ka rënë dakord me kompaninë gjermane CureVac për të blerë deri në 405 milionë doza të vaksinës së mundshme kundër COVID-19.

Kontrata do të miratohet të martën dhe do të jetë kompania e pestë me të cilën Komisioni ka lidhur një kontratë mbi vaksinat, sipas Brukselit.

Deri më tani, Komisioni Evropian ka nënshkruar marrëveshje për furnizimin e vaksinave me kompanitë farmaceutike Pfizer, Astra Zeneca, Sanofi dhe Johnson and Johnson.

“Ne nuk e dimë se cila vaksinë do të jetë e sigurt dhe efektive në fund të fundit. Agjencia Evropiane e Barnave do t’i miratojë ato vetëm pas një vlerësimi të plotë dhe ne kemi nevojë për një gamë të gjerë vaksinash të bazuara në teknologji të ndryshme”, tha presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Layen.

Agjencia Evropiane e Barnave pret që të japë ‘dritën e gjelbër’ për përdorimin e vaksinës kundërCOVID-19 në BE deri në fund të dhjetorit, ndërsa shpërndarja mund të fillojë në janar 2021.