Gjiganti farmaceutik amerikan, Pfizer dhe partneri i tij gjerman, BioNTech kanë aplikuar për autorizim emergjent të vaksinës së tyre në Shtetet e Bashkuara.

Aplikimi në Administratën për Ushqim dhe Barna ka nis një proces që pritet të zgjasë me javë dhe kompanitë synojnë që vaksina e tyre të jetë në dispozicion në muajin dhjetor.

“Me krenari dhe gëzim ju njoftojmë se kërkesa jonë për autorizim emergjent për përdorimin e vaksinës tonë për COVID-19 është në duart e FDA”, tha shefi ekzekutiv i Pfizer, Albert Bourla përmes një video.

Ndërkaq, përmes një deklarate, të dy kompanitë thanë se janë të gatshme të nisin shpërndarjen e vaksinës “brenda orësh pas autorizimit” dhe se autorizimi nga Administratës për Ushqim dhe Barna do të mund të “bëjë të qasshëm vaksinimin e popullatës me rrezikshmëri të lartë në SHBA nga mesi dhe fundi i dhjetorit të vitit 2020”.

Më herët gjatë këtij muaji, Pfizer dhe BioNTech njofton se gjetjet e fazës 3 të vaksinës së tyre, treguan se vaksina është e sigurt dhe 95 për qind efektive.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara në anën tjetër ka akuzuar kompaninë Pfizer por edhe kompani tjera se për qëllime strategjike i kanë vonuar publikimet e studimeve për vaksinat e tyre, deri pas zgjedhjeve në SHBA.

“Pfizer dhe kompani tjera kanë vendosur që mos t’i bëjnë të qasshme rezultatet e vaksinave të tyre, me fjalë të tjera mos ta dalin me një vaksinë deri pas zgjedhjeve. Ata duhej ta bënin këtë në tetor, mirëpo vendosën ta vonojnë shkaku i asaj që po bëja unë”, ka thënë Trump.

Shkaku i vonesës sipas presidentit është fakti që ai është mbështetës i uljes së çmimeve për medikamente, dhe në këtë mënyrë kanë ulur shanset e tij për rizgjedhje.

Megjithatë, Trump ende pretendon se ai ka fituar zgjedhjet presidenciale të mbajtura me 3 nëntor.

Shtetet e Bashkuara kanë regjistruar mbi 1 milion raste të reja me koronavirus në shtatë ditët e fundit dhe vetëm më 20 nëntor sipas Worldometers, janë regjistruar më shumë se 200 mijë infektime të reja, që sërish është një rekord i ri në SHBA.

Deri më tani në Shtetet e Bashkuara si vendi më i prekur në botë mbi 12 milionë persona janë infektuar nga koronavirusi. Prej tyre mbi 260 mijë kanë vdekur. Në nivel botëror të infektuar me koronavirus janë mbi 58 milionë persona. Nga ta mbi 40 milionë janë shëruar teksa gati 1.4 milionë kanë vdekur./21Media