Vaksinat na mbrojnë pavarësisht variantit të Covid-19

Ende po vazhdojnë studimet për të parë nëse vaksinat kundër koronavirusit të miratuara deri më tani mbrojnë edhe ndaj variantit më të rrëzikshëm, Omicron. Agjencia Evropiane e Barnave ka bërë të ditur se vaksinat e miratuara nga kjo agjenci vazhdojnë të mbrojnë nga çfarëdolloj varianti.
Të dhënat e para të studimeve të kompanisë Pfizer, tregojnë se me tre doza të kësaj vaksine je plotësisht i mbrojtur nga varianti i ri i koronavirusit Omnicron. Ndërkohë edhe Agjencia Evropiane e Barnave konfirmon se varianti i ri i Covid, Omicron luftohet nga vaksinat që janë miratuar nga ta.
“Nga të dhënat që kemi deri më tani për Omicron vaksinat e autorizuara janë efikase dhe vazhdojnë të shpëtojnë jetë, por dhe të evitojnë rastet e rënda të sëmundjes. Pavarësisht se variant i ri i Covid përhapet më shpejt vaksinat që kemi do vazhdojnë të na mbrojnë”. Kjo ishte deklarata e drejtores ekzekutive të Agjencisë Evropiane të Barnave, Emer Cooke, e cila mbajti një fjalim në Parlamentin Evropian. Ajo shtoi se duhet të rritet numri i të vaksinuarve me dozat e treta duke parë se imuniteti dobësohet me kalimin e kohës.
Kufizimet e plota të udhëtimeve nuk do të parandalojnë përhapjen ndërkombëtare të variantit të ri të koronavirusit, Omicron, ka thënë Organizata Botërore e Shëndetësisë, pasi dhjetëra shtete kanë bllokuar udhëtimet nga shtetet e Afrikës së Jugut.
Në disa udhëzime OBSH ka thënë se në vend të ndalesave, shtetet duhet të praktikojnë masa “të bazuara në të dhëna dhe rrezik”, duke përfshirë testimin e pasagjerëve dhe masa të karantinës, të cilat mund të zvogëlojnë importimin apo eksportimin e variantit Omicron.
“Kufizimet e plota nuk do të parandalojnë përhapjen ndërkombëtare dhe ato rëndojnë jetët tona”, ka thënë OBSH, duke shtuar se kufizimi i fluturimeve nga vendet si Afrika e Jugut, ndëshkojnë padrejtësisht këtë shtet pse ka qenë transparent për urgjencën e variantit të ri.
Rasti i parë me këtë virus është raportuar në Afrikën e Jugut një javë më parë dhe prej atëherë ai është identifikuar në të paktën 20 shtete.
Rreth 56 shtete janë duke zbatuar kufizime në udhëtim, me qëllim të parandalimit të përhapjes së variantit Omicron, ka thënë mes tjerash OBSH.
Pothuajse 3.8 milionë njerëz në mbarë botën u infektuan me Covid-19 javën që kaloi dhe më shumë se 47 mijë persona ndërruan jetë.
Lajmi është konfirmuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, e cila bëri me dije se numri i rasteve të reja me COVID mbetet i pandryshuar krahasuar me javën që kaloi, por numri i viktimave është ulur me 10 për qind.
Evropa zë 70% të rasteve të reja me COVID në javë dhe 61% të numrit të viktimave; duke shënuar një rritje prej 7% të infektimeve dhe një ulje prej 2% të shkallës së vdekshmërisë.
SHBA-të raportojnë numrin më të lartë të personave të infektuar me COVID në një javë. Pas tyre vjen Gjermania, Britania e Madhe, Rusia dhe Franca.
“Lloji Delta, i cili vazhdon të dominojë botën është identifikuar në 99.8% të analizave të kryera gjatë dy muajve të fundit”, tregon OBSH.
Sa i përket versionit të ri Omicron, thotë OBSH, është raportuar në një numër të kufizuar vendesh. Afrika e Jugut, e cila është epiqendra e përhapjes së këtij mutacioni; “kohët e fundit ka vënë re një shtim të rasteve në disa provinca të vendit”.
Ndërkohë afrimi i festave ka futur në ankth miliona evropianë ku variant i ri i duket se ka mbërritur më herët nga ç’ dinim deri tani, pasi Holanda thotë se ka gjetur të infektuar të 11 ditëve më parë. Në Itali janë zbuluar raste të reja dhe ministria e Shëndetësisë lëshoi një qarkore për rregulla më të rrepta në shkollë, klasat do futen në karantinë që me rastin e parë të infektimit.
Ndërkohë edhe në vende të tjera të Evropës autoritetet po provojnë gjithçka për të detyruar qytetarët të vaksinohen. Në Austri do të vendoset gjobë deri 7 200 euro për të pavaksinuarit. Ndërkohë dhe bursat në Evropë kanë rënë përsëri për shkak të variantit Omicron./21Media

Back to top button