Me rastin e Ditës Botërore për të Moshuarit, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, bashkë me ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj, si dhe drejtorin e Institutit Kombëtar, Naser Ramadanin sot vizituan Shtëpinë për Persona të Moshuar pa Përkujdesje Familjare në Prishtinë.

Me këtë rast, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica tha se me përkushtimin e stafit të Shtëpisë se Personave të Moshuar pa përkujdesje, të moshuarit që ishin pozitiv me Covid-19 kanë kaluar me lehtësi virusin. Reçica u zotua se do të vazhdohet përkujdesja për të moshuarit.

Ndërsa, ministri i shëndetësisë, Armend Zemaj tha se ministria që drejton e ka në plan vaksinimin e qytetarëve të Kosovës, por së pari do të fillohet nga shtëpia e pleqve.

“Përmes juve përmes kësaj simbolike të tregojmë përkushtimin institucional që përkujdesja për të gjitha moshat, veçanërisht për të moshuarit të cilët edhe kontributi është shumë më i madh për zhvillimin e jetës, rritjen për punën, përkushtimin, për vendin dhe duhet të respektohet gjeneratë pas gjenerate… Si Ministeri e Shëndetësisë, ne planet tona për përkujdesje shëndetësore është vaksinimi kundër gripit, i qytetarëve të Kosovës, së pari do të fillojmë shumë shpejt, pikërisht nga shtëpia e të moshuarve, do ta bëjmë vaksinimin e të gjithë juve, dhe qytetarëve të tjerë”, tha Zemaj.

Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë, Naser Ramadani u shpreh do të fillojë ri-testimi për të moshuar dhe nuk do të mbetët asnjë i moshuar i pa vaksinuar.

“Ju jeni kategori e veçante për neve, me një përkushtim të veçanta duke pasur shëndet me të ndjeshëm, dhe ne jemi të vetëdijshëm për këtë, sepse do ta bëjmë të pamundurën që prapë të mbeteni nën mbikëqyrje të përhershme. Qysh prej nesër, ne do të rifillojmë edhe njëherë ri testimin, të shohim gjendjen se ku jemi tash, pas disa muajve që iu kemi testuar dhe iu kemi mbikëqyrë, do të vazhdojmë më këtë”, tha Ramadani.

Edhe Ramadani u shpreh posa të vijnë vaksinat kundër gripit, se pari do të jepen për të moshuarit, sepse duke marrë parasysh shëndetin e ndjeshëm do t’i mbrojë nga gripi sezonal.