Varhelyi e siguron Hotin se Kosova do të pranojë vaksinën kundër COVID-19
28 Dhjetor 2020
Komisioneri për Fqinjësi dhe Zgjerim Oliver Varhelyi ka thënë se e një sasi e të vaksinës kundër Covid-19 do të arrijë në Kosovë në të njëjtën kohë sikurse në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.
“Sa i përket sigurimit të vaksinës kundër Covid-19, Varhelyi e siguroi kryeministrin Hoti se një sasi e saj do të arrijnë në Kosovë në të njëjtën kohë sikurse në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor”, bëhet e ditur në komunikatën e dërguar për media.
Këtë ai e tha gjatë një bisede telefonike me kryeministrin e Kosovës në detyrë, Avdullah Hoti.
Hoti e siguroi Varhelyi, se Kosova do të vazhdojë të ketë stabilitet institucional dhe fiskal, do ta trajtojë me prioritet menaxhimin e pandemisë Covid-19 dhe do t’i kryej të gjitha obligimet që dalin karshi procesit të integrimit të vendit në Bashkimin Evropian.
Të dy bashkëbiseduesit ngritën shqetësimin për hyrjen ilegale të vaksinës kundër Covid-19 në Kosovë, pa procedura të rregullta të importit apo donacionit për produkte medicinale, për të cilat nuk dihet as origjina.
Kjo sjellje e Republikës së Serbisë u konsiderua e papranueshme dhe institucionet e Kosovës kanë inicuar veprimet e nevojshme ligjore ndaj personave të përfshirë në këto veprime.
Hoti e siguroi komisionerin Varhelyi se në kuadër të planeve për vaksinim janë përfshirë të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, pa asnjë dallim./21Media