Varianti i ri që së pari u shfaq në Britaninë e Madhe besohet të jetë shumë më i transmetueshëm se varianti që ishte në qarkullim deri më tani.

Një francez që jeton në Angli, ka dalë pozitiv në variantin e ri më 25 dhjetor, tha Agjencia e Shëndetit Publik e Francës.

Në deklaratën për media thuhet se ai nuk ka simptoma dhe se është në vetizolim. Disa vende të tjera evropiane kanë raportuar po ashtu raste të variantit të ri, i cili duket të jetë më ngjitës sesa koronavirusi origjinal, por jo edhe më vdekjeprurës.

Zyrtarët shëndetësorë gjithashtu kanë thënë se nuk ka prova se varianti i ri do të jetë rezistent ndaj vaksinave.

Ndërkohë, edhe në Spanjë janë shënuar 4 rastet e para të infektimit me versionin e ri të Covid-19, i cili u identifikua fillimisht në Britani.

Ata janë vetëizoluar në Madrid dhe nuk shfaqin simptoma të rënda. Të infektuarit ishin kthyer së fundmi nga Mbretëria e Bashkuar.

Ministri japonez i Shëndetësisë, Norihisa Tamura, tha të premten vonë se pesë njerëz janë dërguar në karantinë, pasi është konfirmuar se ata janë të infektuar me variantin e ri.

Të pestit kanë arritur në Japoni përpara se ky vend të vendoste një ndalesë të përkohshme për vizitorët e huaj nga Britania.

Aktualisht, vetëm shtetasit japonezë dhe shtetasit e huaj me leje qëndrimi lejohen të hyjnë në Japoni dhe ata duhet të kalojnë karantinën e detyrueshme prej 14 ditësh pas mbërritjes.

Njoftimi për shfaqjen e variantit të ri të koronavirusit në Britani ka bërë këtë javë që disa vende në botë t’i ndërpresin përkohësisht fluturimet nga Mbretëria e Bashkuar.

Shkencëtarët britanikë po eksperimentojnë një ilaç të ri që mund të sjellë ndryshimin e madh në luftën ndaj pandemisë koronavirus.

Medikamenti mund të ndalojë që personat e ekspozuar ndaj Covid-19 të zhvillojnë infeksionin apo që të sëmuren rëndë. Raportimi vjen nga media të ndryshme të Britanisë së Madhe si BBC dhe Guardian. Sipas shkencëtarëve, terapia me antitrupa krijon një imunitet të menjëhershëm dhe mund të kryhet si trajtim emergjence te pacientët e shtruar në spitale dhe te kategoria e riskut.

Medikamenti është zhvilluar nga Kolegji Universitar Spitalor I Londrës dhe AstraZeneca. Koktejli me antitrupa mund të garantojë një mbrojtje ndaj koronavirusit për një periudhë nga 3 deri në 12 muaj. Nëse aprovohet, do të përdoret fillimisht te personat që janë ekspozuar ndaj virusit në 8 ditët e fundit.

Deri më tani në botë janë infektuar mbi 80 milionë persona qysh nga fillimi i pandemisë. Gati 1 milion e 800 mijë kanë vdekur, teksa rreth 56 milionë janë shëruar. Raste aktive ende mbesin edhe 22 milionë./21Media