Vazhdon dëgjimi i dëshmitarit të 11-të në gjykimin kundër Thaçit dhe të tjerëve

Në Dhomat e Specializuara në Hagë po vazhdon dëgjimi i dëshmitarit të 11-të në gjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi janë në sallën e gjyqit ndërsa Jakup Krasniqi po e ndjek këtë proces përmes video-lidhjes.

Edhe në këtë rast po aplikohen masa mbrojtëse duke mos e shfaqur në publik identitetin e dëshmitarit, teksa në seancë të mbyllur po vazhdojnë pyetjet nga ZPS-ja.

Dëshmitari që mban numrin 03811, po vazhdon dëshminë e tij duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit special, James Pace. Me fillimin e pyetjeve, seanca ka vijuar në sesion privat.

Në fillim të seancës, kryegjykatësi Charles Smith tha se ekipet e mbrojtjes kanë shkurtuar kohën për të marrë në pyetje këtë dëshmitar.

“Ekipet e mbrojtjes e kanë shkurtuar kohën për t’ju marrë në pyetje, në më pak se sa dy orë. Kështu që ne parashikojmë që dëshminë tuaj ta përfundojmë sot përpara drekës. Ju kujtoj që ju lutem mundoheni që të jepni përgjigje të qarta pyetjeve, me fjali të thjeshta”, theksoi ai.

Po ashtu, ai bëri të ditur se dokumenti i diskutuar ditën e djeshme do të pranohet si provë materiale.

Pas pushimit, Smith tha se do të kërkojë të dijë për kohën që nevojitet për kundër-pyetjet.

Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka nisur më 3 prill me deklaratat hyrëse të palëve.

Para trupit gjykues, Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës.

Ata ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagës prej nëntorit të vitit 2020. /kp

 

Back to top button