Vazhdon protesta në Paris pas sulmit vdekjeprurës ndaj kurdëve
Parisi ka përjetuar një ditë të dytë trazirash të dhunshme pas sulmit vdekjeprurës të së premtes ndaj komunitetit kurd.
Protestuesit që u mblodhën të shtunën përmbysën makina, duke u vënë flakën disave dhe hodhën objekte ndaj policisë. Oficerët u përgjigjën duke hedhur gaz lotsjellës.
Tre persona u vranë në sulmin e së premtes, i cili ndodhi në një qendër kulturore kurde dhe një restorant.
I dyshuari, i cili thuhet se e ka përshkruar veten si racist, është transferuar në një institucion psikiatrik.
69-vjeçari u lirua nga paraburgimi për arsye shëndetësore pas ekzaminimit të së shtunës, thanë prokurorët. Ai ende nuk është paraqitur para gjykatësit.
Pas të shtënave, i dyshuari tha se i urrente të huajt.
I njëjti burim tha se personi i armatosur filloi sulmin e tij me një pistoletë dhe iu gjet një kuti me të paktën 25 fishekë dhe “dy ose tre” karikatorë të mbushur.
Dëshmitarët thanë se sulmuesi – i gjatë, i bardhë dhe i moshuar – qëlloi për vdekje dy burra dhe një grua në lagjen e 10-të të qytetit.
Tre të tjerë kanë mbetur të plagosur, njëri prej të cilëve ndodhet në gjendje kritike për jetën.
I dyshuari, një makinist treni në pension, u ndalua nën dyshimin për vrasje dhe tentativë vrasjeje, dhe më vonë u akuzua edhe për veprim me motive raciste.
Ai ka një histori të shkeljeve të armëve dhe ka dalë se është liruar me kusht vetëm disa ditë para sulmit.
Vitin e kaluar, ai u akuzua për dhunë raciste për një sulm me shpatë në një kamp migrantësh diku tjetër në kryeqytetin francez.
Trazirat filluan menjëherë pas të shtënave të së premtes. Pamjet treguan njerëz duke ndezur zjarre në rrugë dhe duke thyer xhamat e makinave./21Media