Vazhdon Superliga e Hendbollit, derbi hap xhiron e 12-të në Prishtinë

Pas pushimit për shkak të angazhimeve të Kombëtararës së Kosovës në hendboll, rikthehet gara në Superligën e Kosovës së hendbollisteve me zhvillimin e xhiros së 12-të.
Kjo xhiro hapet me derbin interesant ndërmjet Prishtinës dhe Ferizajit. Të dy ekipet kanë ambicie të mëdha në këtë edicion dhe synojnë pikët e plota në përballjen që zhvillohet të mërkurën nga ora 19:00 në Prishtinë.
Aktualisht, Ferizaji renditet në vendin e katërt me 10 pikë, ndërsa Prishtina është në pozitën e pestë me tetë pikë, duke e bërë këtë duel shumë të rëndësishëm për renditjen në tabelë.
Dy ndeshje të tjera të xhiros zhvillohen të enjten. Nga ora 18:00 përballen Kastrioti dhe Shqiponja, ndërsa nga ora 20:00 takohen Ulpiana dhe Samadrexha. Ndërkohë ndeshja mes Besës dhe Istogut pritet të zhvillohet më 18 ose 19 mars.
Në krye të tabelës është Samadrexha me 18 pikë, ndërsa pas saj renditet Shqiponja me 16 pikë. Istogu mban vendin e tretë me 13 pikë. Pas tyre vijnë Ferizaj dhe Prishtina, ndërsa më poshtë janë Tereza me tetë pikë, Kastrioti dhe Ulpiana me nga tri pikë, si dhe Besa me dy pikë.
Sfidat priten të jenë të zjarrta, jo vetëm për shkak të rivalitetit por edhe për synimin e pikëve të plota për renditjen tabelare.