Vdekshmëria e fëmijëve në Kosovë, trefish më e lartë se në vendet e BE-së

Jetëgjatësia e foshnjave në Kosovë është përshkruar si më e ulëta në rajon. Vdekshmëria e fëmijëve është cilësuar si problem serioz, ku 16 prej 1000 foshnjave vdesin para se të mbushin 5 vjet. Kjo shifër është tri herë më e lartë se mesatarja e BE-së. Nga Shoqata e Pacientëve, thonë se në këtë shifër të vdekshmërisë së fëmijëve ka ndikuar mungesa e një sistemi të integruar të shëndetësisë i cili garanton rritjen e shëndetshme të një fëmije.

Një nga gjetjet më shqetësuese të raportit të progresit për shëndetësinë në Kosovë, është shkalla e lartë e vdekshmërisë së fëmijëve.

Sipas këtij raporti numri i vdekjeve të fëmijëve nga 0 deri në 5 vjeç është 16 në 1 mijë, që është trefish më shumë sesa në vendet e Evropës.

Për shakatarët më të shpeshtë të vdekjes së foshnjave, për RTV21 flet drejtoresha e Klinikës së Neonatologjisë, Hajrije Ismaili.

“Nëse flasim për këtë vit, për 10 mujorin e vitit 2023, i kemi foshnjat të cilat kanë lindë në Klinikën Gjinekologjike, vdekshmërinë e kemi 12.9 promila. Për foshnjat të cilat janë sjellur nga jashtë, sepse klinika jonë është qendra referente ku trajtohen të gjitha foshnjet e lindura parakohe dhe ato të sëmura, edhe kjo nënkupton foshnjet që transferohen nga spitalet regjionale, maternitetet, nga spitalet private apo ambulatorë e kemi 2,9%, ndërkaq, vdekshmëria totale në 14 promila për të gjitha foshnjat që janë trajtuar në Klinikën tonë. Nëse shkojmë ndër vite për vitin 2018 për foshnjat që kanë lindur në Klinikën Gjinekologjike ka qenë 16.1 promila, nga jashtë 5.6%, ndërkaq gjithsej 18.8 promila”, tha ajo.

Sipas Besim Kodrës nga Shoqata e Pacientëve, në këtë shifër të vdekshmërisë së fëmijëve ka ndikuar mungesa e një sistemi të integruar të shëndetësisë, i cili garanton rritjen e shëndetshme.

“Nuk kemi një sistem të integruar të sistemit gjinekologjik që nana do të kalonte në një filtër që nuk do ta lejonte që fëmija p.sh të ketë pasoja gjatë lindjes ose rritjes edhe kjo padyshim që afektohet në vdekshmërinë e lartë të fëmijëve, s’përjashtojmë edhe faktorët ekonomik të familjeve në kosovë që nuk kanë mjete të mjaftueshme për t’i kushtuar një ushqim të shëndetshëm për fëmijët. Fëmijët tanë vdesin 3 herë më shumë se në Evropë, mëherët ishte 5 tash vdesin 3. Por, edhe të rritur vdesin 10 vite më herët se qytetarët e BE-së”, tha ai.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, gjatë vitit të kaluar janë regjistruar 163 rastet të vdekjes së fëmijëve nga 0 deri në 5 vjeç.

“Në vitin 2022 vdekshmëria e fëmijëve prej 0 deri në 5 vjeç i kemi gjithsej foshnje 0 vjet kanë qenë 117 foshnje, prej tyre 67 meshkuj, femra 50. Të moshës 1 vjeçare, 19 gjithsej, 8 meshkuj, 11 femra. Të moshës 3 vjecare 11 gjithsej, 8 meshkuj 3 femra. Mandej kështu me rradhë deri te mosha 6 vjeçare. Moshës 5 vjeçare janë gjithses 6 femijë, 3 meshkuj, 3 femra. Nëse i referohemi sipas vitit, viti 2019 ka qenë viti me më së shumti vdekje të fëmijëve, prej këtyre 189 vdekje kanë qenë foshnja”

Raporti i Progresit i Komisionit Evropian ka identifikuar defekte të mëdha në sistemin publik shëndetësor në Kosovë, por këtë here raporti përfshinë aspekte që nuk ishin trajtuar viteve të kaluara, që është vdekshmëria e fëmijëve./21Media

Back to top button