Është ndarë nga jeta në moshën 78 vjeçare aktori dhe regjisori i njohur shqiptar Andon Qesari. Lajmin për vdekjen e tij e ka bërë të ditur i biri Edon Qesari, i cili ka treguar se Qesari vuante nga një sëmujde e gjatë qe e kishte rënduar shumë vitin e fundit.

Ai ka ndarë me ndjekësit në rrjetet sociale një mesazh të ndjeshëm për të atin.

“Dashuria e Tij e pamat për ne, familjarët dhe njerëzit e tij të afërt, përpjekjet për të na dhënë një jetë me dinjitet dhe begati, pasioni i vyer artistik që e shoqëroi gjatë gjithë jetës dhe shënoi një karrierë të paharrueshme në teatrin shqiptar dhe studimin e artit, humori i hollë që e spikaste, janë trashëgimi më i çmuar që na la. Të dua Ba’ dhe mirupafshim në një jetë më të mirë…”, ka shkruar Edon Qesari.

Artisti i Popullit Andon Qesari ka lindur më 27 qershor të vitit 1942 në fshatin Qeparo të Vlorës.

Pasi diplomohet në Institutin “Aleksandër Moisiu” (sot Akademia e Arteve) për aktor në vitin 1966, fillon punën në Teatrin e Vlorës.

Roli i tij i parë do të jetë me premierën e dramës “Shënomëni dhe mua” e Hilmi Minarollit në 17 Tetor 1976 ku ai do të luante rolin e Besnikut, më tej do të vazhdonin rolet e tjera si : Aleksi tek “Doktori pacient” e Ruzhdi Pulahës, Qamil Beu tek “Epoka para gjyqit” e Ekrem Kryeziut, Ksanthi tek “Dhelpra dhe rrushtë (Ezopi)” e Guilherme Figueiredo, Konti tek “Fernando Krafi më ka shkruar një letër” e Dorstit, Feni tek “Furnalta” e Ruzhdi Pulahës e shumë të tjerë.

Po kështu do të jetë regjisor edhe i shumë dramave si :
“8 Persona plus” e Ferdinand Radit e Dorstit, “Karnavalet e Korçës” e Dhimitër Pecanit, “Këmbanat e Muzgut” e Teodor Laços, “Në jetë” e Dhimitër Xhuvanit etj.

Nuk mungojnë rolet e tij as në kinematografi si p.sh: roli i Skënderit në filmin “Ngadhënjim mbi vdekjen” në vitin 1967, rolin e Bilalit, Komandantit të Shtabit partizan tek filmi “Ata ishin katër” në vitin 1977, doktor Kozmai në filmin “Tela për violinë” e shumë të tjerë. Njëkohësisht më veprimtarinë e tij artistike Andon Qesari vazhdon edhe veprimtarinë akademike si pedagog i Akademisë së Arteve.
Për meritat e tij artistike Andon Qesari është nderuar me titullin e lartë “Artist i popullit’./21Media