Ka vdekur pas një sëmundje të shkurtër, në moshën 25-vjeçare trajneri dhe gjyqtari i futbollit, Ardren Dafota. Lajmi u bë i ditur nga Komiteti Olimpik i Kosovës.

“Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të trajnerit dhe gjyqtarit me të ardhme të ndritur në futboll, Ardren Dafota. Ardreni pas një sëmundje të shkurtë u nda nga jeta në moshën 25-vjeçare. Ai ishte i dashuruar me futbollin dhe këtë e dëshmoi që nga fëmijëria, teksa si futbollist aktiv u shqua me talentin e tij në KF “Gjakova”, KF “2 Korriku” dhe KF “Flamurtari”. Pas përfundimit të studimeve dhe karrierës si futbollist, nisi me përkushtim punën e trajnerit, derisa me punën dhe profesionalizmin e tij arriti që të bëhet pjesë e programit Grassroots të Federatës së Futbollit të Kosovës, ku shërbeu si edukator, si dhe ishte udhëheqës i programit për fëmijët me nevoja të veçanta në Gjakovë “Të gjithë jemi të barabartë”.”, thuhet në njoftimin e KOK-ut.

Komiteti Olimpik i Kosovës u ka shprehur ngushëllime familjarëve.

“Në emër të Komitetit Olimpik të Kosovës dhe gjithë Lëvizjes Olimpike në Kosovë, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta, familjes së tij, Federatës së Futbollit të Kosovës, Shoqatës së Trajnerëve dhe Gjyqtarëve të Futbollit, miqve dhe gjithë dashamirësve të sportit.”, thuhet më tej./21Media