Në natën në mes të së shtunës dhe të dielës, një person 44 vjeçar nga Komuna e Malishevës, ka vdekur si pasojë e infektimit me virusin e etheve hemorragjike krime kongo (EHKK).

Lajmin e ka bërë të ditur Komuna e Malishevës sot përmes një njoftimi për media.

Vdekja e I.B. (1976), është konfirmuar nga SHSKUK, përkatësisht drejtori Basri Sejdiu, në komunikim zyrtar me Komunën e Malishevës.

“Bazuar në të dhënat e deritanishme, tashmë i ndjeri, edhe pse i prekur me EHKK, nuk është trajtuar në Klinikën Infektive, por në një klinikë tjetër dhe në momentet e fundit të jetës, ka pasur nevojë edhe për terapi me oksigjen”, thuhet në njoftimin e komunës.

Lidhur me rastin sot është mbajtur një takim urgjent i shtabit komunal për EHKK, si dhe çështja është trajtuar edhe në mbledhjen e rregullt të Këshillit të Drejtorëve.

Për gjashtë vite me radhë në Komunën e Malishevës ka njoftuar se nuk ka pasur raste të vdekjeve me EHKK, ndërsa për pesë vite radhazi nuk ka pasur as raste të infeksionit./21Media