Ka ndërruar jetë sekretari teknik i Federatës Skitare të Kosovës (FSK), Emin Dushullovci.

Federata Skitare e Kosovës (FSK) i ka shprehur ngushëllime familjes dhe komunitetit të skijimit dhe atij sportiv.

“Axhi e Baca Emin ashtu si e thërrisnim të gjithë, ishte puntorë i devotshëm përgjatë dekadave të shumta të konsolidimit dhe zhvillimit të sportit të skijimit. Ishte një njeri fjalëpak por me vullnet të madh për avansimin e gjeneratave dhe kushteve në të cilën organizoheshin garat e skijimit në kohën e paraluftës e atë të Republikës së Kosovës.I përjetshëm do të jetë emri, puna dhe kujtimi për bacën Emin. Ngushëllime familjes, BE të FSK-së, komunitetit të skijimit dhe atij sportiv”, është bërë e ditur në telegramin e ngushëllimit.

Emin Dushullovci fillimisht kishte filluar të merrej me futboll në vitin 1945, ku edhe ishte pjesë e skuadrës Besëlidhja, atëkohë ekip i lagjes së Muhaxherëve. Por, me kushtet e vështira në ato vite, prindërit nuk e kishin lejuar ta ushtronte profesionin e futbollistit, kështu duke i kërkuar të fillojë ndonjë punë.

Në vitin 1970, ai ishte punësuar si mbikëqyrës i dy objekteve në Brezovicë, të cilat ishin ndërtuar për arsye të mbajtjes së garave ndërkombëtare për studentë. Dushullovci kishte qëndruar për një vjet në Brezovicë së bashku me disa grupe studentore dhe Klubin Skitar “Universiteti”, i cili në atë kohë ishte ekipi i dytë në ish-Jugosllavi.

Në një periudhë 20 vjeçare, prej vitit 1971, deri në 1991, Dushullovci kishte arritur të përfundonte disa detyra sportive ku edhe ishte ndihmës trajner i Klubit Basketbollistik “Univeristeti”, që garonte në ligën e parë në Jugosllavi.