Ka vdekur shkrimtari i famshëm dhe një nga poetët më të shquar malazezë të shekullit 20, Jevrem Brkoviq, i cili kaloi dekadën e fundit të shekullit të kaluar në mërgim në Zagreb.

Brkoviq ka vdekur dje në moshën 88-vjeç.

Ai ishte nismëtar dhe një nga themeluesit e Qendrës Malazeze PEN dhe Akademisë së Shkencave dhe Arteve Dukla. Në fillim të viteve 1990 ishte një nga kundërshtarët e regjimit të Slobodan Millosheviq në Malin e Zi.

Në vjeshtë të vitit 1991 ai ishte akuzuar për nxitje të urrejtjes kombëtare për letrën e tij të hapur të faljes për kroatët dhe myslimanët, e cila ishte një reagim ndaj sjelljes arrogante të rezervistëve malazezë në Hercegovinën perëndimore.

Në tetor të të njëjtit vit, Brkoviq ka emigruar në Kroaci, ku ka jetuar dhe punuar deri në vitin 1999, kur ishte kthyer në Mal të Zi pas ndryshimit të klimës politike.

Në fund të tetorit 2006, Jevrem Brkoviq dhe shoferi e truproja i tij, Srgjan Vojiçiq ishin sulmuar nga tre burra të armatosur. Truproja i Brkoviq ishte vrarë në sulm, ndërsa shkrimtari malazez ka pësuar lëndime të lehta. Publiku kishte spekuluar se motivi i sulmit ishte libri i sapo botuar “Dashnori i Duklës”, ku ai indirekt kishte përqeshur shumë njerëz nga jeta publike e Malit të Zi pranë qeverisë së atëhershme.