Në spitalin e Gjilanit, brenda 24-orëve të fundit, kanë vdekur dy persona të prekur me Covid-19. Këtë e ka bërë të ditur kryetari Lutfi Haziri  pas takimit me Komitetin për menaxhimin e përhapjes së COVID-19.

“Përmes QKMF-së dhe institucioneve tjera shëndetësore, jemi duke i menaxhuar mbi baza ditore 108 rastet aktive me COVID-19, ndërkaq në Spital të Përgjithshëm gjendja është më e qetë pasi kemi 16 raste në trajtim”, ka thënë ndër të tjera Haziri.

Ai ka njoftuar se janë prekur nga infeksioni dy shkolla, njëra publike dhe tjetra private.

“Në të dy rastet, një arsimtar është bartës i infeksionit. Ne jemi duke e bërë hulumtimin e fundit për këtë. Shkollat vazhdojnë të jenë të hapura dhe nuk ka vend për shqetësim. Prindërit, mësimdhënësit dhe nxënësit duhet të vazhdojnë t’i bartin maskat”, ka shtuar Haziri./21Media