Vedat Muriqi shpërthen pas akuzave të “tradhtisë ndaj vendit”

Një tifoz kosovar ka lëshuar akuza të rënda drejt kapitenit Vedat Muriqi, duke e quajtur atë “gjysmë-turk” dhe duke pretenduar se sulmuesi ka dhënë informacione taktike te kombëtarja e Turqisë para ndeshjes në “Fadil Vokrri”.
Tifozi pretendoi se Muriqi ka komunikuar me lojtarët turq dhe se fakti që ai flet turqisht me familjen e tij, e bën atë më pak patriot.
Reagimi i Muriqit ka qenë i menjëhershëm dhe tejet i ashpër.
Përmes një komenti në rrjetet sociale, Muriqi ka mbrojtur me forcë integritetin e tij dhe dashurinë për fanellën dardane, duke i quajtur akuzat si çmenduri të një njeriu pa ndjenja. Ai theksoi se origjina e tij nga Prizreni dhe gjuha që flet nuk e bëjnë atë më pak kosovar se kushdo tjetër që ka dhënë shpirtin në fushë për këtë shtet.
Citat i plotë nga reagimi i Vedat Muriqit:
“Marre të qoftë!!! Gjysmë turki që e flet turqishten si shumica që janë të lindur në Prizren, por që është ma patriot dhe që ndihet ma Kosovar se ti! Me mendu që një lojtar i kombëtares në një lojë vendimtare për shtetin e vet e shet lojën vetëm pse është i lindur në Prizren dhe flet turqisht, duhet të ketë probleme mental ose të jetë një njeri pa gjak, pa ndjenja dhe pa rrespekt për një lojtar që i ka dhanë gjithçka për kombëtaren e Kosovës. Ty personalisht gjithë këtë mund, gjithë këtë dhimbje prej ditës parë deri me dje që e kom bo për futbollin e shtetit, për kombëtaren, kurrë hallall nuk ta bëj!!! Të dënoftë zoti!!!”