Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj sot pasi që votoi tha se shpreson që të gjithë ta kuptojnë se vota është më e fortë se plumbat dhe më e fortë se çdo lloj dhune.

Ai ftoi qytetarët që të dalin dhe të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar, derisa tha së këtë ditë ta kthejnë në festë.

“Ka qenë i pazëvendësueshëm roli juaj sidomos në këtë muaj të fushatës ku ka pasur një nevojë konstante për të qenë transparent për të kuptuar çfarë po ndodh dhe sigurisht që patëm nga ato çudira, por unë them që çdo gjë është mirë që përfundon mirë, kështu që sot kemi një shans historike që kjo gjë të përfundoj mirë. Është ditë e bukur njerëzit kanë dal masivisht u gëzova që pash nga KQZ që Tirana është kampion në pjesëmarrje, sepse unë gjithmonë kam besuar që shumica e njerëzve do qytetarinë nuk do dhunën, nuk do sherrin, nuk do zhurmën, nuk do rrëmujën, do familjen, respekton qytetin e vetë dhe unë them që sot kemi një mundësi ta përfundojmë mirë të gjithë historinë e zgjedhjeve. Unë dhe Ajola jemi shumë të lumtur që shikojmë familje të kapur prej duarsh, burra, gra që po votojnë sot si të ishte një ditë vere, kështu që ta trajtojmë si një ditë feste si me qenë dita e verës. Abraham Lincoln thoshte bukur ‘Vota është më e fortë se plumbat, vota është më e fortë se dhuna, më e fortë se zhurma’, kështu që unë besoj që sot kemi një mundësi nëse na kanë lodhur plumbat dhe zhurma dhe rrëmuja dhe xhirimi i gomave dhe tallavaja me vetëm me një votë kemi mundësi t’i fashisim të gjitha këto nga historia e Shqipërisë dhe të ecim përpara. Shpresoj shumë që të gjithë e kuptojmë që vota është më e fortë se plumbat, më e fortë se çdo lloj dhune”, tha ai.

Ndryshe, 3,588,869 persona me të drejtë vote në Shqipëri sot do të kenë mundësi që të zgjedhin deputetët që do të përfaqësojnë vullnetin e tyre në katër vjetët e ardhshme në Kuvendin e Shqipërisë. Për 140 vende në Parlamentin shqiptar garojnë 1841 kandidatë nga 13 parti, koalicione apo të pavarur, ku prej tyre 39.76% ose 732 janë kandidate femra.