Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu thotë se e ka pranuar me shqetësim të madh lajmin për plagosjen e zyrtarit policor sot në mëngjes.

Nëpërmjet një reagimi, Veliu tha se sulmet ndaj zyrtarëve policor janë të papranueshme dhe dikasteri që ai drejton dënon ashpër çdo sulm ndaj zyrtarëve të saj dhe shpreh gatishmërinë që të përkrah punën e palodhshme të tyre.

Policia e Kosovës është shembull për punën, përkushtimin, integritetin dhe profesionalizmin jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë, mirëpo ajo po goditet shumë herë nga ata që për interes kanë de-stabilizimin, kaosin dhe përfitimet nga aktivitetet kriminale. Secili zyrtar policor është një kujtesë e rreziqeve me të cilat përballet Policia jonë gjatë shërbimit ndaj qytetarëve dhe ruajtjes së rendit dhe sigurisë“, tha Veliu në reagimin e tij.

Tutje ai theksoi se shoqëria duhet t’i dënojë këto akte dhe të bashkëpunojë ngushtë me Policinë në parandalimin dhe zbulimin e rasteve të tilla.

Zyrtarët policorë në baza ditore vënë jetën e tyre në rrezik për mirëqenien tonë andaj respekti, integriteti, profesionalizmi i tyre na bënë krenar dhe obligues të gjithëve për mbështetjen dhe ndihmën e pa rezervë për Policinë tonë“, theksoi ministri, duke i uruar shërim të shpejtë  zyrtarit policor dhe ofruar mbështetjen e tij Policisë së Kosovës dhe organeve të tjera përgjegjëse për zbardhjen e rasteve të tilla.

Ju na mbani të sigurt dhe jepni çdo gjë nga vetja juaj, faleminderit për guximin dhe përkushtimin tuaj!“, përfundoi Veliu./21Media