Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu ka pritur sot në një takim ministrin e Drejtësisë, Selim Selimi, me të cilin diskutuan për rekomandimet që kanë dalë gjatë procesit të rishikimit funksional për sektorin e sundimit të ligjit (RFSSL).

Në bazë të këtij rishikimi janë vënë në pah rekomandimet që ndërlidhen me integritetin e policisë dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Faza e ardhshme e RFSSL-së do të jetë hartimi i Strategjisë për rishikimin funksional të sektorit të sundimit të ligjit 2020-2025, e cila bazohet mbi temat e trajtuara gjatë fazës së rishikimit dhe rekomandimet e dala nga dokumentet e politikave.

Selimi tha se rekomandimet do të ndahen në katër kategori: sigurimi dhe pensionimi i policisë, integriteti i policisë, llogaridhënia e policisë dhe kapacitetet e policisë.

Nga ana e tij, Veliu tha se disa sa nga këto rekomandime tashmë janë zbatuar ose janë në proces të zbatimit.

“U zotova që së bashku me menaxhmentin e policisë do të implementojmë rekomandimet e mbetura dhe njëkohësisht konfirmova se do të jemi pjesë integrale e hartimit të strategjisë së re”, tha ai./21Media