Pas humbjeve të zgjedhjeve të LDK-së  në Podujevë, Agim Veliu nga ky subjekt politik iu është drejtuar qytetarvë duke u shprehur se LDK e pranon vendimin e qytetarëve. Megjithatë ajo me bindje ka thënë se do ta rikthehet në qeverisjen e qytetit vjeshtën e ardhshme.

“Ne e pranojmë verdiktin e qytetarëve dhe zotohemi se do të reflektojmë në bazë të nevojave dhe kërkesave tuaja. Ne i ftojmë shërbyesit civilë, të punësuarit në arsim, shëndetësi dhe në përgjithësi në nivel lokal, që të vazhdojnë të shërbejnë me nderë, pasi që kthimi ynë në vjeshtën e vitit të ardhshëm është i sigurt. Qytetarët shumë shpejt do të binden se askush më mirë se LDK-ja, nuk i adreson nevojat e komunës, shtetit dhe qytetarëve.”, ka shkruar  Veliu në Facebook.

Tutje ai ka thënë se LDK pranon gabimet dhe është e gatshme të reflektojë.

“Por për dallim prej të tjerëve ne lëshimet tona eventuale dimë t’i korrigjojmë dhe të reflektojmë. Shumë shpejt ne do të dalim me një program të ri politik, i cili parasheh kthimin e LDK-së në qeverisjen lokale në Podujevë dhe adresimin e të gjitha nevojave të komunës dhe qytetarëve”, ka shkruar Veliu.

Vetëvendosje ka fituar në zgjedhjet e 29 nëntorit në Podujevë. Shpejtim Bulliqi nga ky subjekt politik ka marrë postin e kryetarit të komunës, post ky që është mbajtur nga LDK për 20 vjet radhazi./21Media