Veliu tha se Albin Kurti provokoi prishjen e koalicionit me LDK-në

Veliu tha se Albin Kurti provokoi prishjen e koalicionit me LDK-në

Nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu, i cili ditën e djeshme u shkarkua nga detyra e ministrit të Punëve të Brendshme, ka thënë se kryeministri Albin Kurti në përpjekjen e tij për të fshehur arsyen e vërtetë të largimit të tij nga qeverisja e Kosovës, ka hedhur akuza.

“Albin Kurti, kryeministri në largim i Kosovës dhe kryetari i Lëvizjes anti-kosovare dhe anti-amerikane, në përpjekjen e tij të dëshpëruar për të fshehur, sipas zakonit ideologjik, arsyen e vërtetë të largimit të tij nga qeverisja e Kosovës, ka hedhur akuza ndaj meje. Tradhtia dhe sabotimi që ai përdori duke u munduar ta arsyetoj veprimin e tij prej struci e frikacaku, janë atribute që i takojnë atij. As unë dhe as LDK-ja, por Albin Kurti ka tradhtuar dhe po tradhton Kosovën dhe ka sabotuar e po saboton Kosovën dhe qytetarët e saj”, ka thënë Veliu.

Veliu tha se Albin Kurti provokoi prishjen e koalicionit me LDK-në për shkak se prishi raportet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe botën perëndimore. “Këtë e bëri sepse e kishte paralajmërimin e qartë të LDK-së se nuk do ta lejonte prishjen e raporteve të Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët natyrorë të saj. Dhe e kishte ditën e premte, si afatin e fundit për të reflektuar në këtë drejtim. Për ta hequr, menjëherë dhe pa kushte tarifën. Për tia hequr Amerikës barrën ndërkombëtare që shteti i sponsoruar prej saj nuk është i denjë për respektimin e rregullave të ekonomisë e demokracisë perëndimore.”, theksoi ai.

Ai ka rikujtuar se Kosova është e lirë dhe e pavarur, për arsye të vullnetit e sakrificës së qytetarëve të saj dhe për shkak të partneritetit të saj me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatëve të saj euro-atlantik. / 21Media