Sot është mbajtur mbledhja e përbashkët e qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë.

Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu në këtë mbledhje nënshkroi dy marrëveshje. Përmes një komunikate të dërguar për media Veliu tregoi se për cilat marrëveshje bëhet fjalë.

‘’Lidhjen e Protokollit për ndryshim dhe shtesë në Marrëveshjen e Bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës

së Shqipërisë, për Bashkëpunimin të Ndërsjellë në Fushën e Sigurisë’’, thuhet në komunikatën e dërguar.

Ky protokoll do t’i mundësoj të dy vendeve që të bashkëpunojnë mes tyre edhe përmes përdorimit të përbashkët të Oficerëve të Kontaktit ose Ndërlidhës, në vendet ku njëra nga palët nuk përfaqësohet me Oficer Kontakti ose Ndërlidhës, me kusht që të jetë marrë pëlqimi i vendit pritës.

Tutje bëhet e ditur se ‘’është nënshkruar Marrëveshja ndërkombëtare ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për bashkëpunim dhe ndihmë të ndërsjellë në raste të fatkeqësive natyrore dhe fatkeqësive të tjera’’.

Marrëveshja në fjalë, do t’i përcaktoj format e bashkëpunimit, procedurat për dhënien e ndihmës, procedurat e kalimit kufitar dhe rregullat për qëndrimin e ekipeve të shpëtimit, kalimin kufitar të pajisjeve dhe artikujve të ndihmës, strehimit dhe ndihma e të zhvendosurve, përdorimin e Avionëve si dhe bashkërendimin dhe menaxhimin e operacioneve të ndihmës ndaj fatkeqësisë, etj.