Veliu shkon në Gjermani në cilësi të kryetarit të LDK-së në Podujevë

 
Ish-anëtari i Kryesisë së LDK-së, Agim Veliu, ka udhëtuar për në Gjermani në cilësinë e kryetarit të LDK-së së Podujevës.
Veliu ka thënë se me ftesë të Burghardt Fülling – kryetar i CDU në Velbert, në cilësinë e kryetarit të Degës së LDK-së në Podujevë po qëndron për vizitë në këtë qytet të Gjermanisë, me qëllim të konsolidimit dhe thellimit të kontakteve ekzistuese në kuadër të marrëveshjes së partneritetit dhe marrëdhënieve të krijuara në mes LDK-së në Podujevë dhe CDU në Velbert.
“Gjatë takimit me Fûlling biseduam për format e bashkëpunimit dhe nënshkruam edhe një marrëveshje partneriteti për promovimin e mundësive, shkëmbimin e informacioneve dhe bashkëpunimit në shumë fusha, në mënyrë që të konsolidohet e thellohet marrëveshja mes dy subjekteve tona politike”, ka shkruar Veliu në Facebook.
Tutje, Agim Veliu ka thënë se janë zotuar se do të angazhohen të krijojnë lidhje dhe takime midis anëtarëve tanë aktivë dhe nënorganizatave dhe t’i mbështesin sa më shumë që të jetë e mundur.
Agim Veliu ishte shkarkuar nga pozita e kryetarit të LDK-së në Podujevë, nga kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku./21Media

Back to top button