Hugo Maradona, vëllai i Diego Maradonës, ka folur rreth vdekjes së legjendës argjentinase në një lidhje direkte për një prej emisioneve televizive në Itali.

“I vetmi që ishte pranë tij ishte nipi im, djali i motrës, që ishte si një fëmijë për Diegon. Ishin edhe mjekët dhe infermierët por ai nuk donte që të hynte njeri në dhomë. Për këtë arsye infermierja ishte jashtë derës. Nuk e di çfarë ka ndodhur. Uroj që jeta e vëllait tim të mos jetë neglizhuar dhe të mos ketë patur gabime mjekësore. Tani po kryen hetimet, do ta ndjekin avokatët dhe policia e Argjentinës”, është shprehur Hugo.

“Mua më vjen keq, nëse është e vëretetë ajo që shkruajnë mediat, më dhemb dyfish sepse ai nuk duhej të lihej vetëm, edhe pse jetonte prej shumë kohësh me nipin tim. Sa i përket doktorëve dhe infermierëve, hetimet do të sqarojnë çfarë ka ndodhur”, shtoi Hugo Maradona.

Një ditë më parë, Policia në Argjentinës bastisi banesën dhe klinikën e mjekut personal të Maradonës, Leopolde Luque.

“E di se çfarë kam bërë me Diegon. Kam gjithçka për të treguar dhe jam plotësisht i sigurtë se ajo që kam bërë për Diegon ishte më e mira e mundshme”, është shprehur për mediat vendase doktori i ish kampionit të Botës./oranews